Aktivistët e shoqërisë civile janë mbledhur ditën e sotme para Ministrisë së Drejtësisë në një protestë pasi Dan Hutra ditën e djeshme vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në kryeqytet.

Mësohet se protesta është organizuar nga kolektivi feminist me moton “Boll më!”, ndërsa protestueset janë shprehur të indinjuara ndaj institucioneve të cilat kanë liruar Dan Hutrën edhe pse me një rekord të pasur kriminal ku përfshihen vrasje e përdhunime.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “boll më, siguri për vajzat dhe gratë”, protestuesit kanë kërkuar drejtësi për viktimat e pafajshme si dhe dënimin maksimal të autorit.

Teksa kanë marrë fjalën njëra pas tjetrës, aktivistet janë shprehur të indinjuara ndaj institucioneve, të cilat kanë liruar Dan Hutren edhe pas krimeve të rënda që ai kishte kryer.

“Dje ka ndodhur një krim i tmerrshëm. 3 gra janë vrarë nga dora e një burri dhe 3 janë plagosur. Ato nuk do kërkojnë më që policia të kapë vrasësin apo të bëhet reforma në drejtësi. Sot ne jemi përballur me një vrasës që ka kryer një krim që mund të shmangej. Ai ka vrarë gruan e parë dhe ka përdhunuar një tjetër, dhe policia nuk e di që ky është i rrezikshëm. Si ka mundësi që institucionet kanë dështuar për të mbrojtur jetën e këtyre grave?
Duhet të flasim që e kemi normalizuar dhunën, femicidin e kemi konsideruar normal. Nuk është krim pasioni por vrasje e gruas. Ky është momenti të flasim më shumë”, u shpreh një nga protestueset.

“Lulet e festave po na i kthejnë në lule morti. Po na vrasin dhe mesazhi po na bëhet i qartë nga institucionet që e kanë bërë të qartë duke ofruar lehtësira për kriminelët. Mjeti i vetëm është vetëmbrojtja”, u shpreh një tjetër e indinjuar.

By Editor