Të mbijetuarit e tragjedisë së emigrantëve në Kalabri tregojnë se trafikantët që kishin varkën janë trembur kur kanë parë drita në breg dhe kanë menduar se po i priste policia.

Ne një rrëfim për La Reppublica, ata shprehen se në çastin që panë dritat, kanë filluar të hedhin emigrantët në ujë, në mënyrë që të largoheshin sa më shpejt që aty. Sipas të mbijetuarve, fillimisht kanë hedhur 20 emigrantë, mes tyre fëmijë e të porsalindur. Ndërsa më pas, kanë nisur të hedhin dhe të tjerët.

“Ishte errësirë. Papritur kontrabandistët, gjithsej katër, ndërsa ishim 500 metra larg bregut, panë drita, rreze që ndriçonin errësirën lart. Ata u trembën, menduan se po i priste policia. Kështu ata ndryshuan rrugë për të zbritur diku tjetër. Por ne duhej të lëviznim shpejt, të rrisnim shpejtësinë. E vetmja mënyrë ishte të lehtësonim peshën në bord. Kështu ata hodhën njerëzit në det në dallgë. Hodhën të paktën 20 persona,”- thanë dëshmitarët.

Në këtë tragjedi kanë humbur jetën të paktën 62 persona që ishin në një varkë emigrantësh në bregdetin italian në Cutro, një qytet 20 kilometra larg Crotone.

Anija e mbushur me emigrantë nga Irani, Pakistani e Afganistani ishte nisur katër ditë më parë nga Izmiri i Turqisë, me destinacion Kalabrinë. Por, dallgët e ndanë në dy pjesë, duke sjellë bilancin e rëndë të jetëve të humbura. Të mbijetuarit janë në spitale dhe dyshohet se mes tyre është edhe një prej trafikantëve.

By Editor