Instituti i Statistikave (INSTAT) ka bërë publike rezultatet e censit të popullsisë për vitin 2023, duke zbuluar një panoramë të re demografike për Shqipërinë. Sipas të dhënave të fundit, numri i banorëve në vend është 2 milionë e 412 mijë e 113.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, prezantoi rezultatet, duke theksuar se ky cens u realizua pas disa sfidave të mëdha që vendi ka kaluar. Ajo shtoi se qëllimi ishte të sigurohej një proces cilësor që përmbush të gjitha standardet ndërkombëtare.

Ky cens solli inovacione të rëndësishme, përfshirë një sistem të avancuar për monitorimin e cilësisë së të dhënave. “Censi i vitit 2023 solli shumë inovacione, me një sistem për monitorim në kohë të cilësisë të dhënave”, u shpreh Dhuli.

Rezultatet tregojnë se në Shqipëri ka 755,950 familje, me një madhësi mesatare prej 3.2 anëtarësh për familje. Gjithashtu, numri i banesave të zakonshme është rritur, duke arritur në 1,082,529.

Krahasuar me censin e mëparshëm të vitit 2011, ka një tkurrje të popullsisë prej rreth 419 mijë banorë ose afër 17%. Ky ndryshim demografik mund të ketë ndikime të mëdha në politikat sociale dhe ekonomike të vendit.

Ky cens është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi ofron të dhëna të sakta që janë thelbësore për planifikimin e ardhshëm dhe zhvillimin e politikave të bazuar në fakte.

By Editor