Greqia është në zi kombëtare, dhe 57 jetët e humbura nga aksidenti tragjik i përplasjes së dy trenave në Larisa, po përcillen për në banesën e fundit.
34-vjeçarja Athena Katsara, nëna e një fëmije të vogël, e cila ndodhej së bashku me bashkëshortin në trenin që u përplas në Larisa, këtë të premte është përcjellë për në banesën e fundit. Çifti ndodheshin në vagonin e tretë dhe, sipas dëshmitarëve, Athena u largua nga vendi për të marrë kafe nga mensa në vagonin e dytë të trenit, i cili u përfshi nga flakët dhe u shndërrua në një masë hekuri pa formë, pasi dy trenat u përplasën dhunshëm. Bashkëshorti i Athenas ndodhet i shtruar në spitalin e Larisës.
Ajo u identifikua mbrëmjen e djeshme dhe u përcoll sot për në banesën e fundit në vendlindje në prani të të afërmve dhe miqve të shkatërruar. Trupi i saj mbërriti herët pasdite në Kishën e Shenjtë të Agia Anna-s në një arkivol të bardhë të mbyllur.
Mediat greke kanë publikuar dhe lamtumirën e fundit të 34-vjeçares, ku nëna e pikëlluar dëgjohet duke bërtitur mbi arkivolin e mbyllur. “Nuk mund të jetë fëmija im, është e padrejtë”, dëgjohet të thotë nëna e pikëlluar.