18-vjeçarja shqiptare Gerta Allushi ka humbur betejën me tumorin në spitalin “Burlo Garofolo” në Trieste të Italisë. Shqiptarja jetonte me prindërit dhe motrën e saj në Tauriano të shtetit fqinj, ndërsa studionte në gjimnazin Grigoletti.
Ajo e zbuloi sëmundjen në vitin 2018, por pavarësisht kësaj, e reja shqiptare nuk i humbi shpresat dhe ndoqi ëndrrën e saj për t’u diplomuar duke studiuar online.
Këtë ajo e dëshmoi në një letër që ajo shkroi:
“Një gjë për të cilën shpesh jam qortuar nga familja dhe njerëzit e mi të dashur, por për të cilën në të njëjtën kohë edhe lëvdohem, është fakti që vijova të studioj dhe të bëj atë që bëja gjithmonë, në çdo moment të sëmundjes, edhe në ato më të vështirët.
Kam menduar gjithmonë që ishte e vetmja zgjedhje që kisha, fundja i thoja vetes, jam adoleshente, çfarë mund të bëj tjetër?! Nuk doja në asnjë mënyrë që të ndihesha ndryshe, apo thjeshtë të më shihnin si një vajzë të sëmurë, edhe ndonëse isha.
Tani që e mendoj, mundesha fare lehtë që t’i lija të gjitha në pauzë, sepse kisha mjaft gjëra për të menduar e për të pësuar. Por çfarë kuptimi do të kishte patur? Thjesht, do isha mbyllur në vetvete dhe të lija sëmundjen që të merrte më të mirën nga unë, të më dënonte… dhe të më burgoste.
Ndaj vendosa të vijoj të bëj jetën time si gjithmonë, të studioj, të takoj miqtë e mi, të shqyrtoj çdo mundësi aktiviteti që më ofrohej, ndonëse me disa kufizime. Nëse nuk do ta kisha bërë këtë, do e kisha privuar veten nga shumë momente, njohje dhe eksperienca që më ndryshuan mua si njeri dhe këndvështrimin tim për gjërat.
Mendoj se ka qënë një zgjedhje që më ka dhënë mundësinë të jem e lirë, që ta jetoja jetën që do kisha jetuar nëse nuk do isha sëmurë dhe të mos e lejoja sëmundjen që të më kushtëzonte.