8 Korrik 2024- Muaji i qershorit që lamë pas është regjistruar si më i nxehti në histori, sipas programit të klimës Copernicus të Evropës. Ky është muaji i 13-të radhazi që shënon një nxehtësi rekord, duke nënvizuar një ndryshim të madh dhe të vazhdueshëm të klimës sonë.
Sipas shërbimit të ndryshimeve klimatike Copernicus, temperatura mesatare globale në 12 muajt e fundit ka qenë më e larta e regjistruar ndonjëherë. Ajo ishte 1.64 gradë më shumë se mesatarja para-industriale e periudhës 1850-1900, kur shpyllëzimi dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile nuk kishin kontribuar ende në ngrohjen e klimës së Tokës.
Drejtori i shërbimit, Carlo Buontempo, theksoi se “Jemi përballë diçkaje më shumë se një çudi statistikore dhe që nxjerr në pah një ndryshim të madh dhe të vazhdueshëm të klimës sonë”. Këto të dhëna tregojnë qartë se ndryshimet klimatike janë një realitet i prekshëm dhe kërkojnë veprime të menjëhershme për të reduktuar emetimet e gazrave serë dhe për të mbrojtur planetin tonë.