Mijëra njerëz kanë ofruar të adoptojnë vajzën, e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veri-perëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës (6 shkurt). Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya që do të thotë mrekulli në arabisht, ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.
Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris, raportoi BBC-ja të enjten (9 shkurt). Aya tani ndodhet në spital. ‘Ajo mbërriti në një gjendje shumë të keqe. Kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë,’ është shprehur pediatri që kujdeset për të. Mjeku ka bërë të ditur se foshnja tani është në gjendje stabile. Videot e shpëtimit të Aya u bënë virale në rrjetet sociale. Pamjet tregonin një burrë duke vrapuar nga rrënojat e një ndërtese teksa mbante në duar foshnjën e mbuluar me pluhur.
Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, theksoi se ka marrë shumë telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë foshnjën. ‘Unë po e trajtoj atë si një nga vajzat e mia’, u shpreh ai, duke shtuar se gruaja e tij po e ushqen me gji, së bashku me vajzën e tyre vetëm katër muaj më të madhe se Aya.