Vrasja e trefishtë në Tiranë, kapet autori i ngjarjes
Ka përfunduar arratia e 40 vjeçarit Dan Hutra i cili gjatë ditës së mërkurë vrau 3 gra në zonën e Paskuqanit dhe Kamzës.
Në fillim, Hutra ka plagosur me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në Astir. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, është larguar me mjetin tip “Benz”, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj” në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Dan Hutra vrau me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses) si dhe plagosi ish-bashkëjetuesen Elena Hysa, 35 vjeçe dhe nënën e saj Kujtime Hysa, 60 vjeçe.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, autori ka lëvizur drejt Kamzës dhe ka ndaluar tek banesa e Etleva Kurtit duke e vrarë me armë zjarri.
Autori i këtyre krimeve të rënda u largua me një makinë tip Benz dhe u arrestua më pas në zonën e Kombinatit. Në momentin e arrestimit atij iu gjet dhe arma e krimit kallashnikov.
Dan Hutra është person me precedent të theksuar kriminal pasi rezulton i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Në vitin 2009, ai është dënuar me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga policia e Durrësit dhe në vitin 2022 është arrestuar për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar për dhunë ndaj ish bashkëjetueses së tij.