Kompania gjermane ajrore, Lufthansa ka ndërprerë fluturimet për shkak të një defekti në sistemin e IT në Frankfurt.

Në një njoftim në faqen zyrtare, Lufthansa informon se: “Për shkak të një defekti, shumë sisteme të IT të Lufthansa aktualisht nuk funksionojnë.

Për këtë arsye, pasagjerët do kenë probleme me programin e fluturimit dhe gjatë procesit të check-in. Informacione të mëtejshme do të publikohen sa më shpejt të jetë e mundur.”

Të gjitha fluturimet nga aeroporti i Frankfurt janë ndaluar, pasi sistemet për check-in dhe imbarkimin u ndërprenë.

Kontrolli i trafikut ajror në Gjermani ka zhvendosur fluturimet e Lufthansa që ishin planifikuar në aeroportin e Frankfurt në destinacione të tjera si Këln, Dyseldorf dhe Nürnberg.

Gjithashtu informon pasagjerët se: “Në rast se fluturimi juaj anulohet, ju rekomandojmë të mos shkoni në aeroport dhe të rezervoni përsëri fluturimin tuaj në aplikacionin tonë Chatbot.”

Defekti në sistemin e IT-së të kompanisë Lufthansa është shkaktuar për shkak të dëmtimit të disa kabllove me fibra optike, gjatë punimeve për ndërtimin e një hekurudhe në Frankfurt.

Defekti ka sjellë vonesa në disa fluturime dhe ndërprerje të disa të tjerave.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë gjermane, rregullimi i kabllove të dëmtuara mund të zgjasë deri pasditen e së mërkurës, raporton DW.

By Editor