Në një akt të rëndësishëm kulturor, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e shoqëruar nga dy vajzat e Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta, i dhuroi Institutit të Etnologjisë në Pragë një komplet të veprave të këtij patrioti dhe mbledhësi të shquar të folklorit. Ky dhurim u realizua në shënim të përvjetorit të lindjes së Anton Çettës, një figurë emblematike për kulturën shqiptare.
Në një postim në Facebook, Ambasadorja Iberhysaj tha: “Në shënim të përvjetorit të lindjes së atdhetarit të paepur, plakut të urtë, mbledhësit të shquar të folklorit dhe pajtuesit të palodhur të gjaqeve, profesor Anton Çetta, në Institutin e Etnologjisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, në Pragë, nderuam jetën dhe veprën e tij duke i dhuruar bibliotekës së Institutit një komplet të veprave të profesor Çettës. Veprat e Çettës janë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit, si një thesar i kulturës sonë shpirtërore që ia përcjellim me krenari brezave të ardhshëm.”
Anton Çetta u njoh si një profesor i letërsisë me një pasion të veçantë për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai dha një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe kulturës, duke edukuar breza të tërë studentësh dhe duke lënë pas një trashëgimi të pasur me veprat e tij letrare. Shkrimet e tij janë vlerësuar për thellësinë dhe ndjeshmërinë e tyre, duke mbajtur gjallë frymën dhe traditat e kombit shqiptar.
Anton Çetta (1920-1995) është i njohur për kontributet e tij të mëdha në mbledhjen e folklorit dhe historive gojore nga të gjitha trevat shqiptare. Gjatë jetës së tij, Anton Çetta kontribuoi ndjeshëm në mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit shqiptar. Veprat e tij përfshijnë koleksione të gjera të këngëve popullore, tregimeve dhe legjendave të ndryshme nga trevat shqiptare. Ndër më të njohurat janë “Këngët Popullore Shqiptare”, “Tregimet dhe Legjendat Popullore”, dhe “Vargje nga Eposi i Kreshnikëve”. Këto vepra janë tërësisht të mishëruara me kulturën dhe traditën shqiptare, duke siguruar që trashëgimia shpirtërore e kombit të mos humbasë.
Ai ishte gjithashtu një pajtues i njohur i gjakmarrjeve në Kosovë dhe një profesor i letërsisë.
Në një kohë kur Kosova po përballej me tensione dhe konflikte të shumta, Çetta u angazhua me gjithë zemër në nismën për pajtim dhe falje. Ai udhëhoqi një lëvizje masive për pajtimin e gjaqeve, duke sjellë paqe dhe harmoni në shumë familje dhe komunitete të prekura nga gjakmarrja. Përpjekjet e tij për pajtim lanë një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm në shoqërinë kosovare.
Më 7 prill të vitit 1990 gazeta prestigjioze “New York Times” kishte nje artikull i cili fliste për faljen e gjakut dhe punën që po bënte Anton Çetta.
Artikulli tregonte që nga 1 shkurti deri ne 7 Prill ishin pajtuar rreth 150 familje dhe se organizatorët janë të bindur se do të zgjidhen edhe 450 deri në 550 raste të mbetura.
Dhurimi i këtij koleksioni është një moment i rëndësishëm, pasi këto vëllime janë më shumë se tekste – ato janë një dritare që shpalos kulturën dhe traditën shqiptare, gjithashtu dhe një ftesë për të eksploruar thesarin e krijimtarisë sonë njerëzore. Ndërsa këta libra gjejnë shtëpinë e tyre brenda një instituti prestigjioz, le të shërbejnë si burim frymëzimi dhe studimi dhe si një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë.
Drejtori i Institutit të Etnologjisë, z.Jiří Woitsch, pranoi këto volume me mirënjohje, dhe diskutoi për mundësi të tjera bashkëpunimi mes Kosovës dhe Çekisë. Ky akt simbolik do të mbetet një dëshmi e përpjekjeve për të ruajtur dhe promovuar kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Foto nga Google Images