Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit. Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës.

Periudha e ndërtimit të kishës, sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm, i përket fundit të shekullit të 16-të. Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe, ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera, të pajisura me absida në anën lindore. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.

Përpara ndërhyrjes restauruese, kisha përballej me disa problematika kryesore: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dhe dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës. Projekti i mirëmbajtjes, i hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat dhe miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës.

Procesi Restaurues

Gjatë ndërhyrjes, u realizua:

  • Qeramosja e çatisë me tjegulla vendi.
  • Vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë.
  • U mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara.
  • U restaurua pjesërisht dera, me material drusor.

Ky projekt restaurues siguron që kisha e Shën Nikollës të ruajë vlerat e saj historike dhe arkitektonike për gjeneratat e ardhshme.

Foto nga Google Images


By Editor