RETË

Mes maleve tutje prej tokës lindore,
seç ra një ushtar nën plumbat mizorë.

As kryq nuk i vunë, s’e shtinë në tokë,
as nënë e as motër s’iu gjendën mbi kokë.

Veç retë që vinin që larg nga vatani
e panë dhe e njohën e zunë të qanin.


DUKE TË PRITUR TY

Në orën pesë duhet të vish
ja rruga,
ja shenjat e bardha ku do të kalosh,
si re të bardha që notojnë mbi asfalt.

Tek xhamia,
përballë sahatit unë rri
akrepat, si vetulla
në fytyrën e kohës,

herë të qeshur, herë të ngrysur atje lart.
Pas pak do të bjerë pesë
tani pëllumbat
rrotull sahatit vërtiten, të bardhë, të bardhë.


TI DHE HËNA

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
dola fushës të bredh kuturu
retë shtyhen me vrap pa reshtur
hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.


NJË VAJZE

Duke të puthur pa të dashur
në shpirt ai ty të plagoi,
buz’përgjakur nga t’kuqt e tu
si vrasës tinëz shkoj.
Krenar që ty “të shtiu në dorë”
gjith shokve emrin tënd ju tha.
Pran gotës birrës për ty folën
në park të dielave ata.
Dhe ti e vetme mbete
bosh mbenë sytë e tu në net bilbilash
si sheshi i shkretë ku porsa ndodhi
një katastrofë automobilash…
Tani, kur shkon rrugës së Dibrës
ata me sy të ndjekin pas.
Dikush me brryl i bie shokut,
– e sheh filanen? e ka pas…
Dhe ti ul kokën, shpejton hapin
t’arrish tek shoqja sa më shpejt
të përsërisësh fjalët standard
ah njëlloj janë të gjithë djemtë.
Të dyja t’ulura pranë radios
do ndizni heshtur një cigar,
tek supi i saj nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të marr
dhe do të çojë në një rrugë tjetër
më gjerë, më bukur, dhe me re.
Atje në sfond fabrikash njerëzit
nga këmbët s’do t’u vënë re.
Atje tek ecën në mes turmash,
në një grup djemsh, ndoshta midis,
dikush me brryl do ti bjer shokut,
– e sheh filanen? ishim miq…


Ismail Kadare (lindur në Gjirokastër, më 28 Janar 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

By Editor