Sot, më 17 janar, shënohet përvjetori i 557-të i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Një figurë e madhe historike dhe udhëheqësi legjendar që mbrojti trojet shqiptare dhe Evropën nga pushtimet osmane. Lindur më 6 maj 1405 dhe ndarë nga jeta më 17 janar 1468, Skënderbeu mbetet një simbol i rezistencës, guximit dhe ndjenjës kombëtare.
Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbeu, lindi në një familje fisnike shqiptare. Si fëmijë u mor peng nga osmanët dhe u dërgua në oborrin perandorak në Adrianopojë. Aty, ai u edukua me përpjekjen për t’u bërë pjesë e elitës ushtarake osmane. Gjergji adoptoi emrin Skënder dhe fitoi titullin Bej, ndërsa shërbeu me dallim në ushtrinë osmane.
Në vitin 1443, Skënderbeu vendosi t’i kthente shpinen perandorisë osmane dhe u kthye në tokat shqiptare. Ai ngriti flamurin e kryengritjes dhe mori qytetin e Krujës, duke krijuar kështu një bazë të fortë për rezistencën ndaj osmanëve. Kështu filloi një luftë e gjatë e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane që zgjati çerek shekulli.
Skënderbeu udhëhoqi me guxim dhe mençuri betejat e një pas njëshme kundër një Perandorie që ishte një nga më të fuqishmet e kohës. Ai fitoi një sërë betejash të rëndësishme si Beteja e Torviollit (1444), Beteja e Albulenës (1457) dhe Beteja e Ujëbardhës (1465). Strategjia dhe aftësitë taktike të Skënderbeut si komandant u bënë legjendare dhe inspirim për luftëtaret e ardhshëm.


Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një strateg i rrallë dhe udhëheqës me një mendje të ndritur taktike të cilat i dhanë titullin “Atleti i Krishtit” nga Papa Kalisti III. Strategjia e tij shquhej për përdorimin e terrenit malor shqiptar dhe mobilitetit të ushtrisë së tij të vogël por të disiplinuar. Ai ndryshonte planet në varësi të lëvizjeve dhe dobësive të ushtrisë armike, taktika të cilat i dhanë një shans për të fituar kundër një kundërshtari shumë më të fuqishëm. Mençuria dhe njohuritë e tij ushtarake ishin të pashoqe për kohën. Populli shqiptar e adhuronte Skënderbeun jo vetëm për fitoret ushtarake, por edhe për përkushtimin e tij për lirinë dhe identitetin kombëtar. Ai ishte një simbol i sakrificës dhe guximit, dhe dashuria e popullit ndaj tij ishte reale dhe e paçmuar.
Ai u përshkrua si “i gjatë dhe i hollë me një gjoks të spikatur, shpatulla të gjera, qafë të gjatë dhe ballë të lartë. Ai kishte flokë të zinj, sy të zjarrtë dhe një zë të fuqishëm”.
Marin Barleti, një bashkëkohës dhe biograf kryesor i Skënderbeut, jep një nga përshkrimet më të hershme të tij.
“Skënderbeu, si nga zëri ashtu edhe nga fytyra, pasqyronte një zgjidhje dhe siguri të mrekullueshme. Dhe publiku [osman] ishte i impresionuar me përsosmërinë e tij burrërore. Krahët e tij dukeshin sikur asgjë qe ata kishin parë ndonjëherë. Qafa e tij ishte e fortë dhe disi e përkulur, tamam si nje nga mundësit. Shpatullat e tij ishin të gjera dhe të përhapura mrekullisht. Ngjyra e fytyrës së tij ishte e drejtë dhe e bardhë…. Dhe hedhja e syve të tij ishte e drejtë dhe e këndshme, pa asnjë të metë apo papërsosmëri…. Ashtu si Aleksandri i Madh, ai u ndërtua si një gjigant. Fizikisht ishte i pamposhtur.”
Përveç luftimit të paepur në fushëbetejë, Skënderbeu përvijoi një politikë të gjërë diplomatike, duke kërkuar dhe siguruar mbështetjen e fuqive të tjera europiane si Vatikani, Napoli, dhe Venediku. Ai shpeshherë udhëtoi dhe dërgoi përfaqësues për të forcuar lidhjet me aleatët dhe për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje ushtarake. Prioritetet u përcaktuan nga një numër faktorësh si pesha dhe roli i këtyre shteteve kundër rrezikut osman; gatishmëria e tyre për të ndihmuar Skënderbeun në rezistencën e tij antiturke, perceptimi i këtij kërcënimi nga këto shtete, interesat e tyre specifike për të mos u konfrontuar deri në fund me osmanët si dhe shkalla e autoritetit dhe e influencës që këto shtete kishin në nivel europian. Gjykuar nga veprimi i këtyre faktorëve për 25 vite, marrëdhëniet e Skënderbeut me këto shtete kanë qenë të diferencuara, me ulje-ngritje, por pa e humbur asnjëherë boshtin europian të orientimit në politikën e jashtme.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ndërroi jetë më 17 janar 1468. Megjithëse jeta e tij u ndërpre para kohe, ndikimi i tij në historinë shqiptare dhe evropiane mbetet i jashtëzakonshëm. Ai është dhe gjithmonë do të jetë një figurë emblematike që përfaqëson luftën për liri dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Trashëgimia e tij është përkujtuar dhe festuar ndër shekuj, dhe figura e Skënderbeut ngeli e përjetuar në literaturë, art dhe në kulturën shqiptare.
Foto nga Google Images