Sot, më 1 mars 2025, festojmë 80-vjetorin e lindjes së një prej poetëve më të shquar të letërsisë shqipe, Xhevahir Spahiu. I lindur më 1 mars 1945 në Malind të Skraparit, Spahiu ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në poezinë moderne shqiptare.
Xhevahir Spahiu kreu studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe, në Universitetin Shtetëror të Tiranës gjatë viteve 1963-1967. Pas përfundimit të studimeve, ai punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Gjatë viteve 1993-1998, ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm dhe më pas Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Poezia e Xhevahir Spahiut është e njohur për rebelizmin dhe frymën antikonformiste. Ai ka botuar një sërë librash me poezi, ndër të cilët përmendim: “Mëngjes sirenash” (1970), “Vdekje perëndive” (1977), “Zgjimi i thellësive” (1979), “Agime shqiptare” (1981), “Nesër jam aty” (1987), “Heshtje s`ka” (1989), “Kohë e krisur” (1991), “Ferrparasja” (1994), “Pezull” (1996), dhe “Rreziku” (2001). Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në antologjitë e poezisë shqipe dhe është përkthyer në gjuhë të huaja.
Xhevahir Spahiu ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në shumë veprimtari kulturore dhe poetike ndërkombëtare. Kritika e huaj e ka vlerësuar si një nga zërat më të fuqishëm të modernitetit në poezinë shqipe. Poeti dhe akademiku Ante Popovski ka shkruar se “Me Xhevahir Spahiun edhe vetë poezia evropiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm”.
Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe eshte mbajtes i dekorates “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me te cilen u nderua nga Presidenti Ilir Meta, me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”.
Në këtë ditë të veçantë, ne nderojmë mjeshtrin e penës, Xhevahir Spahiu, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe dhe për ndikimin e tij të pashlyeshëm në kulturën tonë. Gëzuar 80-vjetorin, Xhevahir Spahiu!
Foto nga Google Images