Sot përkujtojmë ndarjen nga jeta të një prej figurave më të mëdha të trajnimit te futbollit shqiptar, Prof. Dr. Zyber Konçi, i cili na la përgjithmonë më 19 janar 2015. Ky është një moment për të reflektuar mbi kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka pasur në zhvillimin e futbollit shqiptar.
Prof. Dr. Zyber Konçi ishte një pionier i trajnimit te futbollit shqiptar, i cili drejtoi Kombëtaren shqiptare të Futbollit në dy periudha të ndryshme. Nga tetori i vitit 1963 deri në maj të vitit 1965 dhe nga shtatori deri në dhjetor të vitit 1980, Konçi me përkushtimin dhe njohuritë e tij inovative, arriti të vendoste bazat e futbollit modern në Shqipëri.
Ai ishte trajneri i parë që drejtoi Shqipërinë në një fushatë eliminatore, atë të Euro 1964, ku arriti suksesin historik të skuadrës kuq e zi me një fitore 1-0 kundër Danimarkës e cila u luajt ne 30 Tetor 1963 në Tiranë.
I shkolluar në një prej akademive më të mira të botës në Çekosllovaki, Konçi injektoi në Shqipëri idetë dhe skemat e trajningut më modern të kohës. Kontribuesi i palodhur në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në futjen e metodave shkencore në akademinë shqiptare.
Konçi do të mbetet gjithmonë në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të si një figurë e madhe e futbollit shqiptar dhe kombëtar.
Foto nga Google Images