Nëpër fazat e hënës

Një hënë drapër
Ishte mbështjellur nëpër flokët e mia
E më kishte lidhur për qiellit.


Hënë e re

Pra, duhet braktisur realiteti,
U harxhua koha ime numëruar në ditë e muaj, pa asnjë vit.

Dashuria ime qe me afat.

Pafundësia le t’i takojë poezisë! 

Nëse dhe lutjet i mund harresa,
Ç’gjë tjetër mbetet për të kujtuar? 

Jam shtëpi pa dritare. –Po unë jam ajo shtëpia!
Unë jam ai lisi që nuk ka hije. 
Një mjegull e tejdukshme!- ja ç’ka është jeta ime. 

Patoku që humbi tufën, e fluturimi i dukej çmenduri. 

Hap sytë e mendjes dhe jetoj pafund realitete. 
Unë s’jam e çmendur. 
(Çmenduria shkruhet me “ç-ë” të fortë),
Si çekani i gjyqtarit
Që ndër ato rroba fsheh një frikacak ,
që s’fle nëse drita nuk rri ndezur. 

Ja tani po dënohem me gojën time,
me duart e mia prangos të tashmen time…
Gjyqi im janë malet që rriten dita-ditës përballë meje
dhe unë mbetem një hije njeriu,
Që dielli s’e ngroh, hëna rrinë gjithnjë e re.

Jam njeriu-fëmijë,
E lënë në liri në një shtëpi me grila,
e s’e gjen dot daljen
sepse e di që s’provon.
Dalja në liri ka vetëm një mundësi.
Një të vetme në natën me hënë të re.
Malet janë gjigandë në një natë me hënë të re,
Por, as hije s’ka, s’ka as shpresë.


Sa rëndë të jesh njeri

S’kam bërë diçka të gabuar në jetë
Përveçse, kam dashur,
kam falur,
e kam harruar si një perëndi.
Vetëm pritja ishte shumë njerëzore në mua,
E më tjetërsoi në djall.


Frika

Tmerrohem nga e zeza,
ndërkaq nata vjen pa hënë sa herë.
tmerrohem nga faji,
e mëkatat nuk i numëroj dot më.
kam frikë nga vdekja,
e sa herë e vdekur jam ngjallur mëngjeseve.
kam frikë nga dashuria,
e s’e ndal dot veten mos jepem pas saj.
frikë,
frikë,
frikë…
e mbjellë në palcën e kurrizit tim
që tajohet bashkë me numërimin e minutave
të kohës që nuk ekziston.
kjo ndjenjë po plak ditët e mia,
flokët e mia i ka zbardhur
dhe sytë e mi rrinë thelluar përbrenda trurit.
frika vjen si një çekan gjyqtari,
dhe thërret para viteve që me çiltërsi mendova se i jetoj.
më thanë:
“dënohesh!
dënohesh!
dënohesh!”
dhe pasi përseritet tri herë një fjalë,
thonë se Zoti arrin ta dëgjojë.
dhe unë prapë po frikësohem nga braktisja,
të gjithë njerëzit e mi në krahëror i mbajë.
nuk mund të ikin kështu,
nuk është aq e dhimbshme jeta,
jo kjo FRIKË një emër tjetër ka.
Qeshemi ndër dhëmbë e themi
E bukur qenka nata, mos mbetçim pa të!


Vite drite larg

Unë rri mbështetur mbi drapër të hënës,
jam larg,
aq larg sa harruar janë të gjithë
se unë ec nëpër truall,
se dikur më kanë shikuar,
se më kanë përqafuar,
dikush dhe më pat puthur kohë më parë.
Unë ulur bri varkës në oqeanin e qiellit
që vetë e kam mbushur me sytë e mi,
sytë e mi sterrë të zi, si nata.
Dhe krahë thyer
mësoj notin e jetës së të rriturve,
ndonëse kurrë s’e mësova në asnjë verë
se ishim të varfër dhe afër nesh s’kishte det.
Po zhytem në thëllësi të natës
gjithnjë me sytë nga dritaret mos dikush
ka hequr perdet dhe kundron nga larg,
jam varur cepit të hënës
dhe jam aq larg,
sa zërin tim më afër e kanë engjujt se sa çdo gjë tjetër e gjallë.
gjithkush fle në gjumin e jetës,
gjithkush është urdhëruar
“Flej, nata s’duhet të të gjejë zgjuar!”


Matje kohe

Një grua tradhton burrin e saj.
Një nënë urren të bijën.

Një tregtar ia shet mollët e kalbura
njeriut që vuan nga kanceri.

Një vajzë e vogël shkel mizën pa dashje,
kërruset, bëhet një me tokën
Për ta dëgjuar a merr frymë miza.

Lypsari padashje ia shkel këmbën
maces duke i dhënë ushqim.

Dikush pa zë u lut sot të binte shi.
Afër tij thanë: “E urrej shiun!”

Dikush harroi që jeton,
Tha:“Nesër do zgjohem, sot dita më shkoi kot.”

Dhe të gjithë këto Ikën,
dikush mbulon veshët,
Dikush mbulon sytë,
Dikujt i dhembin këmbët
Nga ikja për t’iu fshehur Zotit.


Mohim

O hënë e netëve të mia vetmitare,
vetëm ti ma pe fytyrën e vërtetë që mbështesja mbi dritare.
Shpesh me fjalë t’u drejtova
por ti rrije memece.
Cila e kishte humbur rrugën n’këtë jetë,
unë që s’dija ç‘të bëja
a ti që dije ç‘bëje dhe asgjë s’ishte njëjtë?


By Editor