Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Arvi në Kretë, ku një fëmijë 7-vjeçar me origjinë shqiptare humbi jetën në det. Ngjarja e hidhur ndodhi të shtunën në mesditë, kur i vogli Nikolas, siç raportojnë mediat lokale, shkoi për të notuar me një shok pas dreke. Pavarësisht kërkesave të nënës për të mos shkuar në plazh, Nikolas arriti të dilte fshehurazi nga shtëpia ndërsa nëna e tij ishte e zënë me fëmijën e porsalindur.
Sipas dëshmive, Nikolas u kap nga dallgët e forta dhe për pasojë humbi ndjenjat. Ai u gjet në breg të detit me trupin përmbys dhe kokën në ujë nga kalimtarët, të cilët menjëherë e nxorën nga deti dhe thirrën ambulancën. Përkundër ndihmës së parë që iu dha nga kalimtarët, fatkeqësisht fëmija nuk mundi të shpëtohej.
Nikolas jetonte me prindërit e tij në Arvi. Mediat lokale i përshkruajnë prindërit si punëtorë serë, njerëz të shkëlqyer sipas përshkrimeve të bashkëfshatarëve. Të gjithë e përshkruajnë 7-vjeçarin si një fëmijë të mrekullueshëm, plot energji, gëzim dhe mirësi.
Kryetari i Shoqatës Kulturore të Arvi, Yannis Karpathakis, i cili ishte ndër të parët që vrapoi në vendin ku u gjet trupi i fëmijës të vogël, tha për cretalive.gr: “Çfarëdo që të themi është pak. Ne të gjithë jemi të tronditur. Në një tragjedi të tillë, duhet të mbetemi të heshtur. Para hidhërimit, le të mos gjykojmë”. Karpathakis, theksoi se prindërit e Nikolasit janë njerëz që punojnë gjithë ditën për të siguruar më të mirën për fëmijët e tyre.
Kjo ngjarje ka lënë një plagë të thellë në zemrat e të gjithëve që e njohën Nikolasin dhe ka ngritur pyetje mbi sigurinë në plazhet e paorganizuara, ku mungon roja e shpëtimit dhe ku rreziqet janë të mëdha. Ndërsa komuniteti vazhdon të përballet me dhimbjen, kujtimi i Nikolasit do të mbetet gjithmonë i gjallë në mendjet dhe zemrat e atyre që e donin.