Në një mbrëmje të mbushur me emocion dhe art të lartë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (TKOB) ka çelur sezonin e ri artistik nën tingujt e dy prej kompozitoreve me te medhenj botëror, Ludwig van Beethoven dhe Wolfgang Amadeus Mozart. Ky event i shumëpritur u zhvillua më 14 shtator dhe përfshiu disa nga veprat më të njohura të këtyre kompozitorëve të mëdhenj.
Koncerti hapës i sezonit përfshiu “Choral Fantasy” të Beethoven-it dhe “Requiem”-in e fundit të Mozart-it, dy kryevepra të muzikës klasike që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit. “Choral Fantasy” është një ndër kompozimet më të bukura të Beethoven-it, që i ka paraprirë Simfonisë nr. 9, ndërsa “Requiem”-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, na fut në një tjetër mister të radhës.
Më shumë se 120 artistë të TKOB-së, përfshirë solistët, korin dhe orkestrën, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, sollën në skenë një performancë të jashtëzakonshme që magjepsi publikun. Virtuozi në piano, Ivo Gjika, ishte një nga yjet e mbrëmjes, duke dhënë një interpretim të paharrueshëm.
Ky koncert shënon fillimin e një sezoni të larmishëm artistik, i cili do të përfshijë një përzgjedhje të pasur shfaqjesh që variojnë nga vepra klasike dhe moderne, koncerte simfonike, performanca baleti dhe koncerte të ansamblit popullor. TKOB synon të sjellë një horizont të ri artistik për audiencën, duke ofruar shfaqje javore për publikun kryeqytetas dhe më gjerë.
Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) premton një kalendar të pasur dhe të larmishëm me rreth 250 shfaqje, 25 premiera dhe 10 produksione të reja. Ja disa nga performancat kryesore që do të zhvillohen këtë sezon:
1. Baleti “UNI”- Një premierë me koreografi të Julind Dervishi, që do të shfaqet më 21 dhe 22 shtator.
2. Opera “AIDA”- Një nga kryeveprat e Giuseppe Verdi-t, e cila ka hapur sezonin me një performancë të magjishme nën drejtimin e Zeffirelli-t.
3. “Tumankuqja”- Një shfaqje e Ansamblit Popullor që përfshin vallen çame të mjeshtrit të koreografisë, Panajot Kanaçi.
Përveç këtyre, TKOB ka planifikuar një sërë koncertesh simfonike, performanca baleti dhe shfaqje të ansamblit popullor që do të mbulojnë një gamë të gjerë të muzikës klasike dhe moderne.
Hapja e sezonit të ri artistik u parapri nga një surprizë e këndshme në Sheshin Skënderbej, ku artistët e Operës dolën nga skena dhe u bënë një me qytetarët, duke dhënë një shfaqje improvizuese që ngazëlleu kalimtarët. Ky moment simbolik shërbeu si një ogur i mirë për një sezon të suksesshëm artistik dhe për nevojën e ngazëllimit dhe gëzimit që arti sjell te publiku.
Foto nga Google Images