Nga Silvana Kola-Loka


U dëgjua zilja e mesazheve. Hapa telefonin. Kemi krijuar një grup komunikimi me disa kolege të punës, me të cilat kemi shumë gjëra të përbashkëta. Komunikimet janë shumë interesante; nga gjëra të vogla të jetës së përditshme deri tek diskutimi nëse duhet të fillojmë të kursejmë për ta çuar hirin në hapësirë pas vdekjes. Ai mesazh ishte për mua.

Silva! Si mendon ti se dikush duhet t’ia tregojë dashurinë dikujt tjetër? Cila do ishte mënyra më e mirë për ta bërë tjetrin të të dojë?

Qesha me vete. Po këto mendojnë se, nëse unë do ta kisha përgjigjen e një pyetje të tillë, do bëja akoma psikologen? Unë do kisha hapur ndonjë zyrë si ‘çudibërëse’ dhe do isha bërë e pasur. Aha! Silva! Të molepsi edhe ty Amerika më duket! Fillove të mendosh si këta, vetëm për të vënë pasuri…!

Mesazhi tjetër, shumë shpejt pas të parit, ma këputi zinxhirin e mendimeve. (1000 falenderime se kushedi ku do kisha përfunduar).

-Hej, Silva! Sa rëndon dashuria e njëanshme? A nuk është ajo dashuria që dhemb më shumë?
E kishin seriozisht. Pashë orën. Nuk kisha shumë kohë. Përmblodha mendimet:

Goca! Mbani shënim se nuk do ta përsërit më. Këtë ma ka thënë një zonjë me të cilën qëllova të udhëtoja një herë në autobus. Kur më pa se po lexoja “Sonetet e Shekspirit”, e ngriti një herë vetullën përpjetë dhe më tha:

Unë jam kundër poezive të dashurisë. Dashuria ndjehet. Dashuria nuk e mban fjalën, nuk flitet. Unë kurrë nuk kam pyetur askënd nëse më ka dashuruar, apo jo. Atë që kam dashuruar, e kam dashur aq shumë, sa nuk do doja ta detyroja të më gënjente, vetëm për të mos më lënduar. Unë nuk dua të detyroj askënd të gënjejë, as veten, as mua. Dashuria ndjehet për veten, jo për të t’u kthyer mbrapsht nga tjetri…

Heshtje nga grupi. Kur u mblodhëm për drekë, erdhën dhe më puthën me radhë. (Kush pyet për Kovidin!!)

E lamë ta diskutojmë një herë tjetër me një gotë verë se ashtu, esëll, bisedat filozofike për dashurinë bëhen të papërballueshme…

‘Titulli i origjinalit: “Për dashurinë e njëanshme”

By Editor