Mbrëmjen e së henes, u shfaq premierë dokumentari “Ajo Mal” nga alpinistja e njohur Uta Ibrahimi. Ky dokumentar, i cili përshkruan fuqinë dhe guximin e vajzave dhe grave në botën e alpinizmit, u prit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku i pranishëm.

“Ajo Mal” është një dokumentar që sjell në vëmendje fuqinë e vajzave dhe grave në botën e alpinizmit. Në qendër të dokumentarit janë vajzat e reja nga Kosova, të cilat, nën mentorimin e Uta Ibrahimit, zbulojnë jo vetëm bukuritë e maleve, por edhe veten e tyre. Përmes historive personale dhe përjetimeve të tyre, dokumentari shpalos transformimin që ndodh kur njeriu përballet me sfidat e natyrës dhe me kufijtë e vet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në premierën e dokumentarit dhe mbajti një fjalim emocionues. Ai theksoi se dokumentari “Ajo Mal” i kapërcen kufijtë e vetes dhe na tregon se edhe ne të tjerët mund të provojmë dhe të bëjmë diçka të ngjashme. “Në këtë dokumentar, pamë një grup vajza të reja, nën udhëheqjen e kësaj ikone tonë, e cila i kapërcen kufijtë e vetes dhe na thotë që edhe ne të tjerët mund të provojmë e të bëjmë diçka të ngjashme, dhe kjo fuqi vjen nga potenciali i jashtëzakonshëm që është diku në të ardhmen, e ne e aktualizojmë për shkak se besojmë,” tha kryeministri.

“Malësia jonë me bjeshkë e vargmale të thepisura, shpeshherë ka qenë mburojë e popullit shqiptar, me gra e burra fisnikë. Përveçse këto bjeshkë na japin bukuri dhe frymëzim, ata na e rikujtojnë edhe një detyrim për t’i mbrojtur e ruajtur ato për brezin tonë, por edhe për brezat e ardhshëm. Duhet të kujdesemi për natyrën dhe malet tona, sikurse kujdesemi për shtëpitë tona dhe trupat tanë, sepse shkatërrimi i tyre nuk është vetëm humbje e bukurive natyrore apo e destinacioneve turistike, por edhe mohim i trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore si dhe rrezikim i mjedisit jetësor e i shëndetit të popullsisë”, tha kryeministri gjersa përmendi edhe sukseset e numërta të bjeshkatares Uta Ibrahimi.

Uta Ibrahimi

Dokumentari është realizuar nga Fondacioni Utalaya dhe mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Projekti “Ajo Mal” ka përzgjedhur njëzet vajza nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke i aftësuar ato në turizëm malor dhe aktivitete të natyrës. Ky projekt synon të ofrojë mundësi praktike dhe teknike për vajzat pjesëmarrëse, duke i ndihmuar ato të përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor përmes alpinizmit dhe eksplorimit të maleve të bukura të Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe maleve tona, duke i krahasuar ato me shtëpitë dhe trupat tanë. Ai shtoi se shkatërrimi i tyre nuk është vetëm humbje e bukurive natyrore apo e destinacioneve turistike, por edhe mohim i trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore, si dhe rrezikim i mjedisit jetësor dhe i shëndetit të popullsisë.

“Ajo Mal” nuk është thjesht një dokumentar për malet; është një thirrje për të njohur dhe promovuar rolin e grave në një fushë që shpesh perceptohet si e dominuar nga burrat. Ky dokumentar synon të frymëzojë dhe të motivojë përtej ekranit, duke nxitur një lëvizje për barazi dhe përkushtim në mbrojtjen dhe dashurinë e përzemërt ndaj natyrës.


By Editor