Presidenti i Republikës Shqiptare, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës në Kosovë dhe pjesëmarrjes në ceremonitë shtetërore për kremtimin e 15-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti Begaj e uroi Kryeministrin Kurti për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe përshëndeti arritjet e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të angazhimeve të marra 15 vjet më parë.
Duke u ndalur tek dialogu Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj vlerësoi domosdoshmërinë e vijimit të këtij dialogu dhe e siguroi Kryeministrin Kurti, se Shqipëria do të jetë krah Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sfidat dhe përpjekjet për të zënë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale.
Presidenti Begaj theksoi qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacënueshme.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë e strategjik midis dy shteteve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, në dobi të marrëdhënieve ndërshtetërore por edhe të bashkëpunimit kombëtar, si në rajon ashtu edhe në diasporë.