Ne 2 mars 1444 në Kishën Katedrale të Shën Kollit në Lezhë, ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), u mbajt Besëlidhja e Lezhës, ngjarja më e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare, besëlidhja e bashkimit të shqiptarëve. Organizator i këti kuvendi ishte prijèsi i Principatès se Kastrioteve GJERGJ KASTRIOTI.

Anëtarët kryesorë të besëlidhjes ishin Arianitet, Balshajt, Muzakajt, Spanet, Zahariajt dhe Gjurashet. Barleti e quan generalis concilium ose universum concilium (këshilli i përgjithshëm); termi “Besëlidhja e Lezhës” u farkëtua nga historianët e mëpasëm. Kuvendi i Lezhës çmohet si pika e nisjes në krijimin e një shteti shqiptar.

Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.

Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë. Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore. 

Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës te popullit shqiptar, prandaj 2 marsi i vitit 1444 nuk është thjeshtë një datë, është një mesazh bashkimi.

Fotot: internet

By Editor