Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka shprehur mbështetjen e tij për programin e vizave H-1B, një çështje që ka shkaktuar një ndarje të madhe brenda lëvizjes së tij “Make America Great Again” (MAGA). Në një intervistë për New York Post, Trump deklaroi se ka qenë gjithmonë në favor të vizave H-1B dhe se i ka përdorur ato shumë herë për të punësuar punonjës të kualifikuar në pronat e tij.
Trump është radhitur në krah të miliarderit Elon Musk dhe mbështetësve të tij në industrinë e teknologjisë, të cilët argumentojnë se vizat H-1B janë thelbësore për të plotësuar nevojat e kompanive amerikane për punonjës të kualifikuar. Musk, i cili është një qytetar i natyralizuar amerikan dhe ka mbajtur vetë një vizë H-1B, ka mbrojtur fuqishëm programin, duke theksuar se mungesa e talenteve të kualifikuara në SHBA është një problem i madh për industrinë e teknologjisë.
Të premten në mbrëmje Elon Musk, drejtues i kompanive Tesla dhe SpaceX, tha se do të mbrojë me vendosmëri programin e vizave H-1B, duke iu referuar industrisë së teknologjisë.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, ai theksoi se: “arsyeja pse jam në Amerikë së bashku me kaq shumë njerëz me rëndësi jetike, që ndërtuan kompanitë SpaceX, Tesla dhe qindra kompani të tjera që e bënë Amerikën të fortë, është programi i vizave H1B. Unë do të luftoj për këtë çështje, të cilën ju nuk mund ta kuptoni”.
Ndersa Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se:
“Gjithmonë më kanë pëlqyer vizat dhe kam qenë gjithmonë pro tyre. Kjo është arsyeja pse i kemi ato. Kam shumë njerëz me këto viza në pronat e mia. Kam besuar tek ato. I kam përdorur shumë herë. Është një program i mrekullueshëm”.
Megjithatë, mbështetja e Trump për vizat H-1B ka shkaktuar një përçarje brenda bazës së tij politike. Disa nga mbështetësit e tij më të zëshëm, si Steve Bannon dhe Laura Loomer, kanë kritikuar programin, duke argumentuar se ai dëmton punëtorët amerikanë dhe ul pagat. Loomer ka kritikuar gjithashtu emërimin e Sriram Krishnan, një sipërmarrës indian-amerikan, si këshilltar i lartë për inteligjencën artificiale në administratën e ardhshme të Trump.
Debati mbi vizat H-1B është një shembull i ndarjeve të thella brenda Partisë Republikane dhe lëvizjes MAGA, ndërsa administrata e re përgatitet të marrë pushtetin. Ndërkohë që disa mbështetës të Trump argumentojnë se vizat H-1B janë të nevojshme për të mbajtur SHBA-në konkurruese në nivel global, të tjerë besojnë se programi duhet të reformohet ose të shfuqizohet për të mbrojtur punëtorët amerikanë.
Foto nga Google Images