Në një ceremoni të mbushur me krenari dhe respekt, komunat arbëreshe në Kalabri – San Sofia, San Basile dhe Zangarona – u bënë sot vendndodhja e tre monumenteve të reja të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo ngjarje simbolizon jo vetëm nderimin ndaj figurës historike të Skënderbeut, por edhe ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë arbëreshe në Itali.
Dy buste dhe një shtatore u vendosën në qendrat e këtyre fshatrave, duke u bërë simbole të forta që mbajnë gjallë kujtimin e heroit dhe identitetin arbëror. Pothuajse në çdo qendër të fshatrave arbëreshe, tashmë ngrihet busti i Skënderbeut si një kujtesë e përhershme.
Ceremonia e inaugurimit të këtyre monumenteve solli së bashku personalitete të shquara, përfshirë Presidentin Bajram Begaj, banorët arbëreshë, autoritetet lokale, si dhe shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Presidenti Begaj, i cili dhuroi dy bustet, theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe, si dhe transmetimin e identitetit kombëtar përmes veshjeve, traditave dhe kulturës.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u shpreh se arbëreshët, edhe pse larg vendlindjes së tyre, kanë ruajtur me fanatizëm gjuhën, kulturën dhe kujtimin e tyre për Skënderbeun. Ai shtoi se nga sot, Skënderbeu në këto sheshe nuk do të jetë vetëm një kujtim, por do të jetë gjithmonë një jetë së bashku me komunitetin.
“Kam ardhur të mbaj fjalën që ju dhashë tetorin e kaluar, sepse për ne shqiptarët, fjala e dhënë nuk është mit, por realitet’, u shpreh Presidenti Begaj gjatë ceremonisë inauguruese të bustit të Skendërbeut.
“Është vizita e dytë në Kalabri dhe kjo vizitë më mbush me krenari për faktin që të gjitha institucionet italiane, duke filluar nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, prefektët e këtyre komunave dhe e gjithë media janë interesuar dhe kanë promovuar gjithçka në lidhje me Arbërin. Patjetër që projekti Arbëria dhe Shqipëria, tashmë edhe Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo në Malin e Zi, do të kenë një bazë të shëndetshme për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre. Këto marrëdhënie nuk do të ishin në këtë ditë sot dhe nuk do të zhvilloheshin nëse ju 6 shekuj me parë do të kishit harruar nga vinit, prandaj është momenti t’ju them: faleminderit të gjithëve ju, secilit një e nga një, dhe të gjitha komunave arbëreshe për çfarë keni bërë për të ruajtur gjuhën arbëreshe, çfarë keni bërë për të transmetuar identitetin tonë kombëtar me veshje, traditat dhe kulturën tonë”.
Komunat arbëreshe në Kalabri janë një pjesë e veçantë e Italisë, ku banorët ruajnë një lidhje të fortë me trashëgiminë e tyre shqiptare. Këto komuna janë themeluar nga emigrantët shqiptarë që u vendosën në Itali gjatë shekujve të mesëm, veçanërisht gjatë dhe pas periudhës së Skënderbeut, kur shqiptarët ikën nga pushtimi osman.
Arbëreshët, siç njihen pasardhësit e këtyre emigrantëve, kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe zakonet e tyre unike, duke krijuar një identitet të veçantë që bashkon elemente të dy kulturave. Ata flasin një dialekt të veçantë shqiptar që ka mbijetuar për shekuj dhe vazhdojnë të festojnë festat tradicionale shqiptare, të vishen me kostume kombëtare dhe të praktikojnë ritet e tyre të lashta.
Ky akt i vendosjes së monumenteve të Skënderbeut në Kalabri është një dëshmi e fortë e lidhjes së pandarë midis arbëreshëve dhe rrënjëve të tyre shqiptare, dhe njëkohësisht një mesazh për brezat e ardhshëm për të vazhduar të jenë ambasadorë të vlerave dhe historisë së tyre të pasur.
Fotot marre nga Google Images