Sot, më 13 tetor, shënohen 113 vite nga lindja e Migjenit, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Lindur si Millosh Gjergj Nikolla më 13 tetor 1911 në Shkodër, ai u bë i njohur me pseudonimin Migjeni dhe mbetet një mësues i përjetshëm për popullin shqiptar përmes krijimtarisë së tij të pasur dhe të fuqishme.
Migjeni lindi në Shkoder, një familje ortodokse dhe qëndroi në Shkodër për pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij. Edukimin e hershëm e përfundoi në vendlindje, ndërsa më pas, në moshën 17-vjeçare, shkoi në Manastir, Maqedoni, për të ndjekur studimet teologjike. Megjithatë, ai nuk e gjeti veten në këtë rrugë dhe e braktisi atë për të ndjekur pasionin e tij të vërtetë: letërsinë.
Pasi u kthye në Shqipëri, Migjeni filloi të punonte si mësues në Pukë dhe më vonë në Vlorë. Përmes këtij roli, ai ndikoi në edukimin e brezit të ri dhe njohu nga afër problemet sociale dhe ekonomike të vendit, të cilat u bënë tema të rëndësishme në krijimtarinë e tij.
Vepra e Migjenit
Migjeni është autor i një varieteti të gjerë veprash që përfshijnë poezi, prozë dhe ese. Krijimtaria e tij është e njohur për shqyrtimin e problemeve sociale, varfërisë, shtypjes dhe absurditeteve të jetës së përditshme në Shqipëri.
Disa nga veprat më të njohura të Migjenit përfshijnë:
– “Vargjet e Lira”(1936) – Një koleksion poezish ku trajton tema të ndryshme sociale dhe filozofike.
– “Novelat e Qytetit të Veriut” (1936) – Një përmbledhje tregimesh që pasqyrojnë realitetin e jetës së përditshme në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij.
– “Poema e Mjerimit”– Një nga poezitë më të njohura të Migjenit që tregon vuajtjet dhe mjerimin e popullit shqiptar.
– “Të Floguara”– Proza të shkurtëra që trajtojnë tematika të ndryshme me një stil të veçantë dhe të fuqishëm.
-“Bukuria qe vret”
-“Buken tone te perditshme falna sot”
“Legjenda e Misrit”
“A don qymyr zotni?”
Ja disa poezi te Migjenit:
KANGA E DHIMBËS KRENARE
O dhimbë krenare e shpirtit që vuen
dhe shpërthen ndër vargjet e lira…
A deshte, vall, për t’u ngushlluem
tu’ e stolisë botën me xhevahira?
O dhimbë krenare ndër vargjet e lira,
që kumbojnë me tinguj të sinqertë…
Vall, a do të prekish kënd ndër ndijesina?
Apo do vdesish si vdes gjethi në vjeshtë?
O kangë e dejë e dhimbës krenare…
Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,
si dy binjakë këndoni mjerimin –
se koha do t’ju bijë ngushllimin.
KANGA QË S’KUPTOHET
Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.
Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?
Oh -jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e një jetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…
DY BUZË…
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.
Trashëgimia e Migjenit
Pavarësisht se jetoi një jetë të shkurtër, Migjeni la pas një trashëgimi të pasur letrare që vazhdon të influencojë dhe frymëzojë breza të tërë shkrimtarësh dhe lexuesish. Ai vdiq më 26 gusht 1938 në Torre Pellice, Itali, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e tuberkulozit.
Migjeni mbetet një ndër figurat më të rëndësishme dhe të dashura të letërsisë shqiptare. Përmes krijimtarisë së tij të jashtëzakonshme dhe shqyrtimit të thellë të problemeve sociale, ai mbetet një mësues i përjetshëm për popullin shqiptar.
Foto nga Google Images