Sot kujtojmë me respekt dhe admirim lindjen e Lord George Gordon Byron, njohur thjesht si Lord Bajroni, një nga poetët më të famshëm romantikë të shekullit XIX. Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 dhe jetoi një jetë plot aventurë dhe pasion, duke lënë pas një trashëgimi të pasur letrare që vazhdon të frymëzojë edhe sot.
Gjatë udhëtimeve të tij nëpër Evropë, Lord Bajroni vizitoi Shqipërinë Jugore, më saktësisht Janinën, ku u mahnit nga bukuritë natyrore dhe kultura lokale. Gjatë kësaj vizite, Bajroni mori si kujtim një kostum tradicional shqiptar, i cili e magjepsi me bukurinë dhe detajet e tij të veçanta. Ky kostum nuk ishte thjesht një suvenir, por u bë simbol i dashurisë dhe respektit të tij për kulturën dhe traditat shqiptare.
Në verën e vitit 1813, piktori i njohur anglez Thomas Philips krijoi një portret të famshëm të Lord Bajronit, ku ai shfaqet i veshur me kostumin shqiptar. Titulluar “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare), ky portret u vendos në Royal Academy dhe tani është i ekspozuar në ambasadën britanike në Athinë. Ky portret jo vetëm që tregon ndikimin që kultura shqiptare pati mbi Bajronin, por gjithashtu kontribuoi në përhapjen e njohjes së traditave shqiptare në Evropë.
Në një nga letrat që Lord Bajroni i shkroi nënës së tij gjatë udhëtimeve të tij, ( ne datën 12 nëntor 1809) ai shprehu dashurinë dhe admirimin e tij të thellë për shqiptarët. Ai theksoi se shqiptarët ishin një popull mikpritës dhe trima, me një kulturë të pasur dhe tradita të veçanta. Në këtë letër, Bajroni përshkruan me entuziazëm përvojat e tij në Shqipëri, duke theksuar se ndjeu një lidhje të fortë me këtë popull dhe vend, që i lanë një përshtypje të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e tij.
Bajroni ka shkruar:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Lord Bajroni mbetet një figurë emblematike jo vetëm për kontributin e tij në letërsi, por edhe për pasionin e tij për kulturat e ndryshme që vizitoi gjatë jetës së tij. Shkrimet e tij vazhdojnë të lexohen dhe të studiohen në mbarë botën, ndërsa lidhja e tij me Shqipërinë mbetet një kapitull i veçantë në historinë e tij personale dhe artistike. Bajroni jo vetëm që solli në vëmendje bukuritë e Shqipërisë përmes artit dhe shkrimeve të tij, por gjithashtu ndihmoi në ndërtimin e një lidhje kulturore midis Shqipërisë dhe Anglisë.
Foto nga Google Images