Manastir, 14 nëntor 1908 – Më 14 nëntor 1908, në qytetin e Manastirit (sot Bitola), filluan punimet e Kongresit të Manastirit, i njohur gjithashtu si Kongresi i Alfabetit. Ky kongres kishte për qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar për gjuhën shqipe, një hap kyç që do të shënonte fillimin e letërsisë mbarë shqiptare dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Kongresi mblodhi figura të shquara të kohës, përfshirë gjuhëtarë, studiues, shkrimtarë dhe përfaqësues të klubeve dhe shoqërive kulturore shqiptare. Delegatët e pranishëm diskutuan dhe analizuan variante të ndryshme të alfabetit, për të arritur në një konsensus që do të përdorej në mënyrë të njëjtë nga të gjithë shqiptarët.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë.

Kërkesa e Gjergj Fishtes ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Pas disa ditësh diskutimesh intensive dhe debateve konstruktive, delegatët ranë dakord për adoptimin e alfabetit latin, duke eliminuar gradualisht variantet e tjera që ishin përdorur më parë. Ky vendim përfaqësonte një moment historik në historinë e gjuhës shqipe, duke vendosur bazat për një komunikim të unifikuar dhe të lehtë ndërmjet shqiptarëve në të gjitha trojet ku ata jetonin.

Në përmbyllje, Komisioni doli me vendimin:

Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo a që sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”

Krijimi i një alfabeti të njësuar kishte një ndikim të thellë në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai mundësoi që librat, gazetat dhe dokumentet e ndryshme të shkruheshin dhe të lexoheshin nga të gjithë shqiptarët, duke kontribuar në përhapjen e njohurive dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Kongresi i Manastirit mbetet një ngjarje historike e rëndësishme që simbolizon unitetin dhe përpjekjen e shqiptarëve për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën dhe kulturën e tyre. Për çdo shqiptar, kjo datë mbetet një moment krenarie dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Foto nga Google Images


By Editor