Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një incident i rëndë ka tronditur qytetin e Pescara në Itali. Një grup prej 40 personash, burra dhe gra, hynë me forcë në departamentin e Onkologjisë të spitalit Santo Spirito, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke krijuar një atmosferë terrori.
Sipas raportimeve, ky akt dhune erdhi pas lajmit të vdekjes së një të afërmi të tyre, një burrë rreth të gjashtëdhjetave që vuante nga një sëmundje e rëndë. Të zemëruar dhe të dëshpëruar, grupi filloi të shkatërronte gjithçka që gjenin përpara, duke përmbysur tavolina, duke thyer dyer dhe duke hedhur mobilje në dysheme. Ata gjithashtu kërcënuan mjekët dhe stafin e pranishëm.
Situata u vu nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat arritën të qetësojnë situatën dhe të sigurojnë transferimin e trupit në morg. Ky akt i dhunshëm është dënuar ashpër nga drejtori i përgjithshëm i ASL të Pescara, Vero Michitelli, i cili theksoi se një departament si Onkologjia, që është një vend i shpresës dhe fragilitetit, nuk duhet të jetë skenë e një sulmi të tillë të paprovokuar.
“Dënoj fuqishëm aktin e dhunës së ushtruar nga një grup prej rreth dyzet personash në dëm të punonjësve të kujdesit shëndetësor, pacientëve dhe aseteve të departamentit të Onkologjisë të spitalit Pescara” deklaroi drejtori i përgjithshëm i spitalit të Pescara-s Vero Michitelli
Ky incident ka shkaktuar indinjatë të thellë dhe tronditje në komunitetin lokal, duke ngritur pyetje mbi sigurinë e spitaleve dhe mbrojtjen e stafit mjekësor në situata të tilla të vështira.