Shqipëria ka bërë zgjedhjen e saj për Çmimet Oscar 2025, duke propozuar filmin artistik të metrazhit të gjatë “Pikë Uji” për kategorinë “International Feature Film”. Ky film, me regji të Robert Budinës, dhe me skenar Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja, do të jetë kandidati zyrtar i vendit në edicionin e 97-të të Academy Awards. 

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka njoftuar se “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar, duke shpresuar që ky film të arrijë sukses në një nga skenat më prestigjioze të kinematografisë botërore.

“Pikë Uji” është një dramë e fuqishme që trajton tema universale të dashurisë, humbjes dhe shpresës. Filmi ka marrë vlerësime të larta nga kritikët dhe është pritur me entuziazëm nga publiku shqiptar dhe ndërkombëtar. 

Filmi është një triller emocionues që eksploron botën psikologjike të një nëne të fuqishme, e cila gjendet e detyruar të përballet me një sistem të pamëshirshëm manipulimi për të mbrojtur të birin. Në qendër të filmit është Aida, e interpretuar nga aktorja Gresa Pallaska, një nënë që përballet me sfida të mëdha për të mbrojtur djalin e saj adoleshent, Beni, i luajtur nga Gerhard Koloneci. 

“Pikë Uji” është prodhuar nga EraFilm dhe zgjat 91 minuta. Kasti kryesor përfshin gjithashtu aktorët Arben Bajraktaraj (Iliri), Adem Karaga (Elvis), Paolo Iancu (Mark) dhe Henri Topi (Denis). Filmi trajton tema të ndjeshme si korrupsioni, drejtësia dhe morali, duke shpalosur plagët e shoqërisë shqiptare. 

Regjisori Robert Budina, i njohur për stilin e tij të veçantë dhe aftësinë për të krijuar histori të ndjera, ka arritur të sjellë një vepër që prek zemrat e shikuesve. 

Në një intervistë Budina ne televizion shprehet se ky film është kulmi i pjekurisë së tij artistike dhe një reflektim emocional mbi realitetin e sotëm. Ai thekson se filmi trajton tema të ndjeshme dhe universale, duke përfshirë drejtësinë dhe moralin, dhe se është frymëzuar nga fenomene konkrete që ndodhin në shoqërinë shqiptare. 

Jam thellësisht i nderuar që ‘Pikë Uji’ është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në çmimet Oscar. Ky film është fryt i një pune intensive dhe pasionante, ku kemi synuar të eksplorojmë thellësisht psikologjinë e një nëne të fuqishme përballë sfidave të një sistemi te korruptuar. Përzgjedhja për Oscars është një njohje e rëndësishme jo vetëm për ekipin tonë, por për të gjithë kinematografinë shqiptare. Shpresojmë që ‘Pikë Uji’ do të prekë zemrat e një audience globale, duke nxitur reflektim mbi vlerat universale të familjes dhe drejtësisë”, tha në një deklaratë regjisori Robert Budina.

Filmi pritet të ketë premierën ndërkombëtare në festival të kategorisë A e më pas do shfaqet në kinematë e vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, duke zgjeruar audiencën e tij përtej kufijve shqiptarë.

Ky është një moment historik për kinematografinë shqiptare, duke treguar se talenti dhe kreativiteti i artistëve shqiptarë mund të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar. Pjesëmarrja në Oscar është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar kulturën dhe historinë shqiptare në një audiencë global

Foto nga Google Images

By Editor