Luigj Gurakuqi (19 shkurt 1879 – 2 mars 1925) ishte një shkrimtar dhe politikan shqiptar. Ai ishte një figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe u nderua me medaljen Hero i Popullit i Shqipërisë.
Në vitin 1908, pas revolucionit të xhonturqve, Gurakuqi u kthye përfundimisht në Shqipëri dhe shpejt u bë një figurë udhëheqëse e lëvizjes nacionaliste, e cila çoi në pavarësinë e vendit në vitin 1912. Së bashku me Gjergj Fishtën, ai përfaqësoi shoqërinë letrare Bashkimi (Uniteti) se Shkodrës në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe, në shtator 1909, mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, i cili u mbajt për organizimin e mësimdhënies dhe arsimit në gjuhën shqipe. Kur kolegji i parë i arsimit në Shqipëri, Shkolla Normale (aktualisht i njohur si Universiteti Aleksandër Xhuvani), u krijua në Elbasan më 1 dhjetor 1909, Luigj Gurakuqi u emërua drejtor i tij. Gurakuqi mori pjesë në kryengritjen e Malësorit më 1911, në kryengritjen në Shqipërinë e Jugut më 1912, dhe në mars të atij viti udhëtoi në Shkup dhe Gjakovë për të nxitur mbështetjen për rezistencën e hapur ndaj sundimit turk dhe përfshirjen e Kosovës ne një shtet të ri shqiptar. Në shtator të vitit 1912, Gurakuqi dhe Ismail Qemal bej Vlora udhëtuan drejt Bukureshtit për t’u konsultuar me diasporën e madhe shqiptare lidhur me çështjet gjeopolitike shqiptare. Gurakuqi mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 dhe shërbeu si ministër i arsimit në qeverinë e parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali.
Gurakuqi u vra ne nje kafene ne Bari, Itali ne 2 Mars 1925.
Ja si e qau Fan Noli humbjen e Luigj Gurakuqit;
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.