Faik Konica, një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare, ka lënë pas një trashëgimi të pasur me mendime dhe thenie të fuqishme që rezonojnë edhe sot. Konica, me mendjen e tij të mprehtë dhe stilin e tij të veçantë, arriti të kapë thelbin e çështjeve të rëndësishme të kohës së tij, duke ofruar perceptime që ende mbeten relevante për brezat e ardhshëm. Në këtë artikull, do të eksplorojmë disa nga theniet më të paharrueshme të tij, të cilat reflektojnë jo vetëm intelektin e tij të lartë, por edhe dashurinë e thellë për atdheun dhe kulturën shqiptare.
- E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
- Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
- Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
- Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
- Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
- Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
- Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
- Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
- Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
- Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
- Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
Foto nga Google Images