Dy ditë para nisjes për në Paris, ekipi olimpik i Republikës së Kosovës ka pranuar zyrtarisht flamurin shtetëror nga Presidentja Vjosa Osmani. Ceremonia e dorëzimit të flamurit u mbajt në Prishtinë, ku Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike, duke e cilësuar si kulmin e një pune të madhe dhe përkushtimi të sportistëve tanë.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani uroi sportistët që të garojnë me nder dhe të luftojnë për të ngritur flamurin e Kosovës sa më lart në skenën globale të sportit. Ajo siguroi sportistët se gjatë garave në Paris do të kenë mbështetjen e madhe të gjithë popullit të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti gjithashtu theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike për herë të tretë është një moment historik, rezultat i punës dhe pasionit të pashoq të sportistëve dhe trajnerëve, veçanërisht të trajnerit të xhudos, Driton Kuka. Ai shtoi se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por me përkushtim dhe punë të përbashkët, mund të arrihen rezultate të mëdha.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se Kosova është gati për të shijuar një tjetër sukses sportiv në Paris dhe se sportistët kosovarë do të jenë heronjtë modernë të vendit. Sportistët u frymëzuan gjithashtu nga kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, e cila tha se Kosova po vazhdon sukseset e mëdha edhe pas saj, duke shtuar se ekipi po udhëton drejt Parisit për medalje të tjera elitare.

Flamuri shtetëror iu dorëzua xhudistes Nora Gjakova, e cila do të jetë një nga sportistët që do të valëvisë flamurin në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, që do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024.

By Editor