Më 15 shtator 2024, shkolla shqipe “Gjuha Jonë” hapi dyert e saj për një vit të ri shkollor, duke mirëpritur rreth 80 nxënës dhe familjet e tyre në një atmosferë të ngrohtë dhe plot entuziazëm. Kjo ditë shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Filadelfia, duke theksuar përkushtimin e tyre për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe larg atdheut.

Në ambientet e reja të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, e cila ka një histori të gjatë prej më shumë se 20 vitesh në promovimin e vlerave kombëtare, nxënësit dhe prindërit u mblodhën për të festuar fillimin e vitit të ri shkollor. Emocionet e vogëlushëve ishin të dukshme, ndërsa ata përgatiteshin për të nisur një udhëtim të ri drejt njohjes së gjuhës së tyre amtare.

Rudina Bani, mësuese dhe nënkryetare e shoqatës, shprehu shpresën se mësimi në këto ambiente do të ndihmojë fëmijët të njihen gjerësisht me traditat, kulturën, zakonet dhe gjuhën e bukur shqipe. “Librat janë përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe janë përshtatur për fëmijët që jetojnë këtu. Shpresojmë ta përmbushim me dinjitet misionin fisnik të mësuesit,” tha ajo.

Kryetari i shoqatës, Dritan Matraku, falenderoi prindërit për përkushtimin e tyre në ruajtjen e gjuhës amtare dhe uroi nxënësit për një vit të mbarë shkollor. “U uroj nxënësve shumë suksese në rrugën e tyre drejt dijes për vlerat e pamata të kombit tonë,” shtoi ai.

Mësimi në shkollën “Gjuha Jonë” do të zhvillohet çdo të dielë nga ora 10:00 deri në 13:00, dhe online nga ora 16:00 deri në 18:00 për fëmijët që nuk kanë mundësi të frekuentojnë ambientet e shkollës. 

Ndërkohë, mësueset e shkollës – znj. R. Bardhi, R. Bani, M. Sotiri, A. Muzhaqi dhe E. Janji – ishin të angazhuara për t’u ofruar nxënësve një fillim të mbarë dhe frytdhënës të vitit shkollor.

Foto nga Google Images

By Editor