Sot, 5 dhjetor, festohet Dita Botërore e Kafesë Turke, një element i pazëvendësueshëm i trashëgimisë kulturore të kuzhinës tradicionale turke. Kjo ditë nuk është vetëm një festë për të shijuar një filxhan kafe të shijshme, por edhe një mundësi për të vlerësuar dhe njohur historinë dhe traditën e kësaj pijeje të lashtë.
Kultura dhe tradita e përgatitjes dhe konsumimit të kafesë turke është një proces i cili ka ndikuar në jetën sociale dhe kulturore të shumë gjeneratave. Në vitin 2013, kjo traditë unike u përfshi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, duke e njohur rëndësinë e saj të veçantë dhe rolin e saj të veçantë në kulturën turke dhe më gjerë. Për të nderuar këtë trashëgimi të pasur, 5 dhjetori u shpall “Dita Botërore e Kafesë Turke”. Kafeja turke u përhap fillimisht në Evropë dhe më pas në të gjithë botën, me nje shpejtesi te madhe falë tregtarëve, udhëtarëve dhe diplomatëve që vizituan Stambollin.
Kafja turke, e njohur për shijen e saj të fortë dhe të pasur, përgatitet në mënyrë tradicionale duke përdorur xhezve, një enë e veçantë metalike, dhe duke u gatuar ngadalë mbi zjarr të ulët. Ky proces përgatitjeje është më shumë se sa një akt i thjeshtë gastronomik; ai përfaqëson mikpritjen, miqësinë dhe bashkimin e njerëzve. Njerëzit shpesh mblidhen për të ndarë biseda dhe përvoja ndërsa shijojnë një filxhan kafeje turke, duke krijuar lidhje të forta dhe të qëndrueshme.
Një nga traditat më interesante të lidhura me kafenë turke është parashikimi i fatit. Pasi përfundoni filxhanin e kafesë, llumi që mbetet në fund përdoret për të parashikuar të ardhmen. Ky ritual i vjetër është ende i praktikuar dhe i dashur në kulturën turke dhe përtej.
Dita Botërore e Kafesë Turke është një kujtesë e bukur e rëndësisë së kësaj pijeje në jetën e përditshme dhe në ceremonitë kulturore. Ajo mban gjallë kujtimet e momenteve të ndara, bisedave të ngrohta dhe lidhjeve që krijohen përmes një filxhani kafeje. Ndërsa festojmë këtë ditë, ne nderojmë jo vetëm shijen unike të kafesë turke, por edhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në ndërtimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave tona.