Në kuadër të manifestimit tradicional ‘Drita e Gonxhës’, biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë organizoi një promovim të veçantë për katër botime të reja kushtuar Shën Nënë Terezës. Ky aktivitet është pjesë e edicionit të katërt të këtij manifestimi kulturor-shkencor, i cili përkon me 114-vjetorin e lindjes, 27-vjetorin e vdekjes dhe 45-vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga Nënë Tereza.,
Në këtë ngjarje të rëndësishme, morën pjesë figura të njohura nga fusha e kulturës dhe shkencës, përfshirë drejtuesin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Prof. dr. Skender Asani, dhe editorin e revistës ‘Drita e Gonxhës’, Emin Azemi. Gjatë promovimit, u theksua rëndësia e këtyre botimeve për të kuptuar më mirë jetën dhe veprën e Nënë Terezës, si dhe për të ndërtuar ura komunikimi dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Botimet e promovuara përfshijnë studime dhe analiza të ndryshme mbi trashëgiminë shpirtërore dhe humane të Nënë Terezës, duke ofruar një perspektivë të gjerë mbi ndikimin e saj global dhe rëndësinë e saj si një figurë e shquar e humanizmit dhe solidaritetit.
Librat e promvuar sot janë: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji; ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj; “Si dhe pse lindi Departamenti për studimne trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani; si dhe numri i tretë i revistës “Drita e Gonxhës”.
Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit të bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ dhe Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, duke nderuar një nga figurat më të mëdha të shekullit XX, Shën Nënë Terezën.
Foto nga Google Images