Gjuhes Shqipe

I

Të falem ty, o gjuhë – shkëmb

me rrënjët thellë në shkëmbënj

që çave qiellin kur t’u vrënj

dhe shëmbe bisha e shtërpënj

pa mbete prapë

…..shkrep e shtëng;

të falem, gjuhë – shkrepëtim,

që shkrep në qiej e vrundullon,

me bujë pyjesh bubullon,

me gjëmë detesh uturon,

dhe je, siç ishe,

…..vetëtim;

të falem ty, o gjuhë – hoj,

ty, zëth i nënës – qetësi,

ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,

ty, afshi i zemrës – dashuri –

gjithmon e ëmbël –

…..mjaltë zgjoi.

II

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,

siç nuk i falem asnjë perëndi –

se tempull i përjetshëm më je ti,

dhe ti mburoje nëpër mot të zi:

ti, dritë e krirtë nëpër errësi,

ti, perëndi, që nuk ke perëndim.

III

Të falem ty, o fis i vendit tim:

Ilir i lashtë, arbër i ri –

dhe sot shqiptar në shumë Shqipëri…

ty, i paepur popull luftëtar,

qendresë e fortë në luftë e zjarr;

ty, o gjahtar i moçëm me hobe,

dhe ty, bari, me hark e me kope

ty, bujk, me shpatë e me qe

ty, nënë e dhembshur e grua – gur,

ju, që më shtatet ngritët mur:

ju rroni dhe rilindni përsëri,

siç lind nga trungu bisku i ri,

kur mplaken edhe vdesin perëndi…

ju mbrujtët e mbrojtët gjer në varr:

gjuhën e shqipes sime

…..thesar


Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaq larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë


Me di a nuk me di

Me di a nuk me di se qaj,
me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
kur ngrihem i cmendur te shkruaj
me gjakun e zemres te shkruaj.
Me di a nuk me di se agimet
me gjejne pa gjume ne shtrat,
me shpirt te shkretuar nga dhembja,
e dhimbshem i pres perendimet,
me ankth i pres perendimet.
Me di a nuk me di se sot
u drodha kur pashe pranveren, (vjeshten)
qe zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e embel sic ishte qemot,
e hidhur sic ishte qemot.
Me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Me di a nuk me di…


Cast Lamtumire

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tone
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!.

Mitrush Kuteli

By Editor