Shqipëria ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për përfshirjen e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s. Ky hap përfaqëson një arritje të rëndësishme për mbrojtjen e një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë.
Dosja e aplikimit, e përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët e Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN), përfaqëson një punë voluminoze dhe të mirëkoordinuar. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, theksoi rëndësinë e këtij aplikimi, duke e cilësuar atë si një kontribut të gjithë shoqërisë shqiptare.
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët e unionit ndërkombëtar për zonat e ruajtura natyrore dhe me ekspertët e UNESCO-s dosjen e kanë bërë gati. Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertë e UNESCO-s në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re. Për ta rritur emrin e vet për t’i përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte te reja për secilën nga zonat që shtrihen në pellgun e Vjosës, përfshirë të gjitha bashkitë e qarkut Gjirokastër, nga Libohova, Dropulli, Gjirokastra deri në lumin Drino, Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Memaliaj, por edhe Fier, Selenicë e Vlorë, për të shkuar në grykëderdhjen e saj”, theksoi Kumbaro.
Lumi Vjosa, me një gjatësi prej 272 km, rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në Adriatik. Ky lum është i njohur për prurjet e tij të shumta ujore dhe për biodiversitetin e pasur që mbështet. Përfshirja e tij në UNESCO do të ndihmojë në mbrojtjen e këtij ekosistemi unik nga kërcënimet e ndërtimit të digave dhe zhvillimit të turizmit masiv.
Programi “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s synon të promovojë bashkëjetesën harmonike midis njeriut dhe natyrës. Përfshirja e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në këtë program do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, duke përfshirë komunitetet lokale dhe duke promovuar turizmin e qëndrueshëm.
Aplikimi pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Ndërkohë, puna për përgatitjen e projektit të Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar Vjosa do të vazhdojë, duke krijuar shtigje të reja për krijimin e produkteve të turizmit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm.
Fotot nga Google Images