Teqeja e Halvetive në Berat është një nga monumentet më të bukura dhe të rëndësishme kulturore në Ballkan. Kjo teqe është ndërtuar në shekullin XV dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70 të shekullit XVIII.

Teqeja i përket sektit të helvetive, një nga sektet e islamit, dhe është ndërtuar në lindje të Xhamisë Mbret, e rrethuar nga një oborr i bukur. Struktura përbëhet nga salla e lutjeve dhe një portik i hijshëm që paraprin hyrjen për në sallë. Në anën veriore dhe lindore të sallës së lutjeve ndodhet një mafil-ballkon, i cili ka një tavan të lakuar në formë çerek-rrethi.

Një nga veçoritë më të spikatura të Teqesë së Halvetive është tavani i saj i ndërtuar me dru dhe i dekoruar me piktura të cilat vlerësohen si ndër më të bukurat e kohës së vet.

Pikturat në tavan janë realizuar në stilin barok të adoptuar në artin islamik dhe janë të mbuluara me fletë ari 14 karat. Këto piktura përfshijnë motive të ndryshme dekorative dhe janë një shembull i shkëlqyer i mjeshtërisë së lartë të artistëve të asaj kohe.

Në murin e kësaj godine ndodhen disa vrima të vogla që shërbejnë për akustikën e zërit, duke treguar mjeshtërinë e lartë të ndërtimit.

Në anën jugore të objektit ruhen konakët e banimit të dervishëve, të cilët janë rindërtuar në shekullin XIX. Këto konakë kanë shërbyer si hane për besimtarët që vinin për të kryer ritet fetare dhe për nxënësit që studionin në medrese.

Teqeja e Halvetive është një monument që paraqet një nga realizimet më të mira të arkitekturës osmane në Shqipëri dhe është një destinacion i rëndësishëm për turistët dhe studiuesit e kulturës dhe historisë.

By Editor