Nata e parë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “Sunny Hill” u mbajt më 25 korrik 2024 në lokacionin e ri në Bernicë të Poshtme, rreth 10 kilometra larg Prishtinës. Festivali hapi dyert rreth orës 14:00, duke mirëpritur mijëra pjesëmarrës të etur për muzikë dhe argëtim.
Atmosfera u ndez nga artistët vendorë, të cilët mbajtën ritmin deri pak para mesnatës. Ylli i natës ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, e cila përformoi për herë të parë në Kosovë. Ajo e nisi performancën me këngën “Me Myself & I” dhe më pas iu drejtua publikut në gjuhën shqipe, duke shprehur lumturinë e saj për të qenë në Kosovë. Performanca e saj elektrizuese zgjati rreth një orë dhe përfshiu këngë të njohura si “Say My Name” dhe “Take Me Home”.


Në zonën VIP, ylli kosovar me famë botërore dhe themeluesja e festivalit, Dua Lipa, u pa duke shijuar performancat e kolegëve të saj. Pas mesnatës, festa vazhdoi me DJ Regard dhe DJ Black Coffee, të cilët mbajtën atmosferën elektrizuese deri në orët e para të mëngjesit.
Festivali “Sunny Hill” do të zgjasë edhe tre netë të tjera, deri më 28 korrik 2024, dhe pritet të performojnë artistë të njohur si Burna Boy, Stormzy, dhe DJ Snake. Organizatorët presin rreth 25 mijë pjesëmarrës në secilën natë të festivalit, duke sjellë një ndikim të madh ekonomik dhe një imazh pozitiv për vendin.
Foto nga Google Images