Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë përkujtoi sot një nga dokumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare, “Formulën e Pagëzimit”. Ky dorëshkrim latinisht, i cili përmban formulën e pagëzimit në gjuhën shqipe, është një thesar i vërtetë për historinë e shkrimit dhe gjuhës shqipe.
“Formula e Pagëzimit” u zbulua në bibliotekën “Laurenziana” të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij në vitin 1915. Ky dokument i rrallë dhe i çmuar është njohur si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip që njohim deri sot, daton 8 Nëntor 1462. Dokumenti kishtar prej 37 faqesh, midis të cilave gjendet fraza Shqip “Vnte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” është shkruar nga Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Pal Engjëlli.
Formula e Pagëzimit është një dorëshkrim latinisht që përmban fjalinë “Un te’ paghesont’ pr’emenit t’Atit e t’Birit e t’Spirit Senit”. Ky tekst tregon se gjuha shqipe ka qenë e përdorur në forma të shkruara që në periudhat e hershme të historisë së saj, duke dëshmuar kështu për ekzistencën dhe zhvillimin e saj që në mesjetë.
Ky dokument është i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe, por edhe për historinë e përgjithshme të kombit shqiptar. Ai dëshmon për përdorimin e gjuhës shqipe në ritualet fetare dhe përpjekjet për të ruajtur identitetin kombëtar në kohëra të vështira.
Foto nga Google Images