Mesfushori Klaus Gjasula ka njoftuar tërheqjen e tij nga Kombëtarja shqiptare pas një karriere të suksesshme pesëvjeçare. Lajmin e bëri të ditur vetë futbollisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu emocionet dhe krenarinë për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Gjasula debutoi me Kombëtaren shqiptare më 7 shtator 2019 në ndeshjen kundër Francës, dhe që atëherë ka luajtur 29 ndeshje, duke shënuar një gol.  Ai ishte pjesë e ekipit në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”, ku shënoi golin e tij të parë ndërkombëtar në një ndeshje të paharrueshme kundër Kroacisë, që përfundoi me barazim 2-2.

Në postimin e tij, Gjasula shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij, duke përfshirë Federatën Shqiptare të Futbollit, trajnerët dhe bashkëlojtarët. Ai theksoi se ka qenë një ëndërr e realizuar për të luajtur për Kombëtaren dhe se tani është koha për t’i hapur rrugën të rinjve.

“Kam ëndërruar gjithmonë të luaj me Kombëtaren dhe e realizova këtë ëndërr. Kam qenë pjesë e një Evropiani, kam shënuar një gol dhe jam ndjerë njeriu më i lumtur. Nëse shikoj pas, kam shumë momente të bukura me fanellën kuqezi, nga ndeshja e parë deri te ajo e fundit kundër Kroacisë. Edhe kur e mendoj tani, ende dridhem nga emocionet. Gjithsesi, vendosa të tërhiqem për t’i hapur rrugën të rinjve, të cilët fatmirësisht Kombëtarja jonë ka shumë. E realizova ëndrrën time dhe tani është koha që të tjerët ta realizojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr,” shkroi Gjasula. 

Tërheqja e tij lë një boshllëk në mesfushën e Kombëtares, por gjithashtu hap mundësi për talentet e reja që të shkëlqejnë dhe të kontribuojnë në sukseset e ardhshme të ekipit kombëtar.

Foto nga Google Images

By Editor