Ekspozita e Dorëshkrimeve të Ismail Kadare-s në Bibliotekën e Kryeministrisë
Tiranë, 14 nëntor 2024 – Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe familjen Kadare, prezantojnë një ekspozitë të veçantë në Bibliotekën e Kryeministrisë, që shpalos dorëshkrimet e shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare.
Ekspozita përfshin më shumë se 44,000 faqe dorëshkrimesh të Kadare-s, duke përfshirë romane të parapublikuara, poezi, dhe skica. Këto dorëshkrime zbulojnë procesin krijues të shkrimtarit dhe përvojat e tij në letërsi, duke ofruar një mundësi unike për publikun që të ndjekë gjurmët e jetës dhe krijimtarisë së një prej shkrimtarëve më të njohur dhe më të respektuar të letërsisë shqiptare.
Mes materialeve qe publiku mund te lexoje, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi”, “Mosmarrëveshja”.“Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Gjithashtu te interesuarit mund te gjejne edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ky aktivitet është një homazh i madh për kontributin e Ismail Kadare-s në letërsi dhe kulturën shqiptare. Organizatorët synojnë të promovojnë dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore dhe letërsare të Shqipërisë, duke ofruar një platformë për ndjekjen dhe hulumtimin e historisë dhe krijimtarisë së letërsisë shqiptare.
Foto nga Google Images