Në një natë të paharrueshme në Lisbonë, Cristiano Ronaldo shënoi golin e tij të 900-të në karrierë gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Kroacisë. Ky moment historik erdhi në minutën e 34-të, kur Ronaldo pranoi një krosim të saktë nga Nuno Mendes dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke e çuar Portugalinë në avantazh 2-0.
Ronaldo, i cili luan për klubin Al-Nassr në Arabinë Saudite, është lojtari i parë në histori që arrin këtë shifër të jashtëzakonshme në ndeshjet zyrtare për klubin dhe vendin. Pas ndeshjes, ai shprehu emocionet e tij për këtë arritje: “Ishte emocionuese sepse është një milestone ( gur kilometrik). Vetëm unë dhe njerëzit rreth meje e dimë sa e vështirë është të punosh çdo ditë, të jesh fizikisht dhe psikologjikisht i përgatitur, për të shënuar 900 gola. Është një milestone unik në karrierën time”.
Ky gol ishte gjithashtu goli i tij i 131-të ndërkombëtar, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj. Ronaldo ka fituar pesë herë Topin e Artë dhe ka fituar tituj të shumtë në tre nga pesë ligat më të mira të Evropës, përfshirë pesë trofe të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.
Ndërsa vazhdon të luajë dhe të shënojë, Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë e futbollit, duke vendosur standarde të reja për brezat e ardhshëm të futbollistëve.
Foto: Yahoo Sports