Tiranë, 17 Korrik 2024- Sot, në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, u zhvillua ceremonia e festës së Ditës së Hashures, një ngjarje e rëndësishme për komunitetin bektashi. Kryegjyshi i Bektashinjve, Baba Mondi, drejtoi ceremoninë dhe uroi të gjithë pjesëmarrësit me fjalë të ngrohta dhe plot dhembshuri.
Në fjalimin e tij, Baba Mondi theksoi rëndësinë e veprave të mira dhe ndihmës ndaj të tjerëve, veçanërisht në kohërat e vështira që po kalon bota jonë. Ai u shpreh: “Të nderuar besimtarë e klerikë, trupi diplomatik, e nderuar deputete e Gjermanisë, vëllezër nga e gjithë bota, Zoti ju nderoftë. I nderuar që sot kremtojmë ditën e Hashurës, pas 10 ditëve agjërim në nder të martirëve. Zoti jua shpërbleftë ju që doni Pejgamerin dhe familjen e tij. Dëshira ime është që kjo ashure të jetë e mbushur me mëshirë dhe dhembshurinë e Zotit”.
Ceremonia u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe e përzemërt, ku besimtarët dhe klerikët u mblodhën për të reflektuar dhe për të ndarë mesazhe paqeje dhe dashurie. Pjesëmarrësit, përfshirë edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe deputetë të huaj, u bashkuan në lutje dhe meditim, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për njëri-tjetrin.
Dita e Hashures është një ditë përkujtimi dhe reflektimi në fenë islame, e cila nderohet në ditën e 10-të të muajit hënor Muharrem. Kjo ditë është veçanërisht e rëndësishme për komunitetin bektashi, i cili e shënon me agjërim dhe ceremoni të veçanta.