Këngëtarja e mirënjohur me famë botërore, Bebe Rexha, ka mbërritur ditën e djeshme në Kosovë për herë të parë. Ajo do të performojë në ngjarjen më të madhe muzikore të vendit, Sunny Hill Festival, duke sjellë një emocion të veçantë për fansat e saj shqiptarë.
Bebe Rexha, e cila ka origjinë shqiptare, është shprehur shumë e emocionuar për këtë vizitë. “Jam shumë e emocionuar që jam këtu. Prindërit e mi kanë ardhur gjithashtu, mami dhe babi, kështu që jam shumë e emocionuar. Do të hamë ushqim të mirë, do të shohim qytetin dhe jam shumë e emocionuar për këtë,” tha ajo.
Këngëtarja do të jetë një nga yjet kryesore që do të performojnë në këtë edicion të Sunny Hill Festival, duke sjellë disa surpriza për fansat e saj. “Performanca në Sunny Hill? Kam disa surpriza. Është shumë e rëndësishme për mua të bashkëpunoj me kulturën time, të përfshij kulturën time,” shtoi ajo.
Përveç performancës së saj në festival, Bebe Rexha do të vizitojë edhe Dibrën, ku do të marrë pjesë në një ceremoni familjare. “Do të shkojmë në Dibër. Kushëriri im do të ketë një synetllëk. Kështu që do të shkoj për dy ose tre ditë,” tha ajo.
Mbërritja e Bebe Rexhës në Kosovë është pritur me shumë entuziazëm nga fansat dhe organizatorët e festivalit, të cilët i kanë uruar asaj një mirëseardhje të ngrohtë në shtëpi.
Foto nga Google Images