Ditët e fundit, atraksionet turistike të qarkut të Gjirokastrës u prezantuan në Janinë me qëllim promovimin dhe zhvillimin e turizmit, si dhe hartimin e një pakete të përbashkët për vizitorët. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Prefekturës së Janinës, hotelerisë, institucioneve nga qarku i Gjirokastrës, Dhomës së Tregtisë, bizneseve dhe operatorëve turistikë.
Bashkia Libohovë prezantoi gjithë potencialin turistik të saj, përfshirë aktivitetet dhe eksperiencat ku mund të përfshihen vizitorët, si sitet arkeologjike, monumentet e natyrës, historia, objektet e kultit, trashëgimi kulturore, gastronomi dhe mikpritja libohovite me bujtinat e fermave të çelura rishtazi.
Në prezantim nuk mungoi as lugina e bukur e Zagorisë, që shtrihet mes maleve, me 10 fshatra piktoreske të vendosura në zemrën e natyrës së egër, me shtëpitë e gurta, urat mesjetare dhe manastiret e kishave me një bukurie të pashoqe. Parku Natyror i Zagorisë, i pasur në florë dhe faunë, si përbërës i një tabloje natyrore të pikturuar nga dora e Zotit, ishte një nga vendet më të veçantë të prezantimit.
Në përfundim të takimit, Dhoma e Tregtisë së Gjirokastrës dhe Shoqata e Hotelerisë së Janinës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të promovuar turizmin në zonën e Gjirokastrës dhe Janinës. Qarku i Gjirokastrës është një nga zonat më të pasura turistike të Shqipërisë, me atraksione të rëndësishme në kulturë, histori, kulinari, natyrë dhe mikpritje.
Foto nga Google Images