Edicioni i 11-të i Çmimit Letrar Kadare sapo ka mbyllur fazën e parë, atë të pranimit të dorëshkrimeve. Janë 39 shkrimtarët të cilët kanë dërguar veprat e tyre në prozë, që sipas kritereve të këtij çmimi, janë të pabotuara më parë. Shkrimtarë të njohur si Mimoza Ahmeti, Stefan Çapaliku, Gazmend Krasniqi, Marçel Hila apo dramaturgë si Armand Bora dhe shumë të rinj kanë sjellë dorëshkrime në prozë të gjinisë së romanit, novelave, tregimeve dhe dramave, ndërsa juria i ka marrë në shqyrtim për të përzgjedhur prej tyre pesëshen finaliste në mes të muajit shkurt.

Një Traditë e Konsoliduar

Numri i konkurrentëve edhe këtë edicion ka qenë i lartë, duke treguar jo vetëm interesin e prozatorëve nga e gjithë hapësira shqiptare, por edhe emrin dhe prestigjin që ka fituar Çmimi Kadare që prej themelimit të tij. Çmimi Kadare është një nxitje e rëndësishme për prozën shqipe dhe një platformë për promovimin dhe mbështetjen e talenteve të reja dhe të njohura në fushën e letërsisë.

Në këtë edicion të 11-të, juria përbëhet nga fituesit e edicioneve të shkuara dhe kryesohet nga shkrimtarja Vera Bekteshi, e cila së bashku me anëtarët Loer Kume dhe Dionis Prifti po punojnë për të përzgjedhur në fazën e dytë pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve” që mbahet në Llogora, do të shpallet vepra fituese për vitin 2025.

Historiku i Çmimit Kadare

Në fund të vitit 2024, Çmimi Kadare kremtoi 10 vjetorin e themelimit të tij, ndërsa akordoi edhe një çmim special për poetin Preç Zogaj dhe veprën e tij antologjike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”. I pari fitues i këtij çmimi u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, më 2015-n, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji”, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”, Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “Amigdala Mandala”, Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e Qyqes”, Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja nga Maqedonia e Veriut me romanin “Duhet të jetë dashuri”, dhe prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”.

Foto nga Google Images


By Editor