Në spitalin infektiv në Tiranë janë të shtruar 15 persona të prekur me Covid-19, sipas raportimeve të fundit. Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Artan Simaku, ka sqaruar se prania e variantit Omicron është përgjegjëse për këto raste të reja.

Simaku theksoi se varianti Omicron që po qarkullon aktualisht në Shqipëri shfaq simptoma të lehta, por grupet e riskut, veçanërisht personat mbi 65 vjeç, nuk duhet t’i neglizhojnë masat mbrojtëse. “Gjatë stinës së dimrit, ku mbizotëron qarkullimi i gripit, Covid-19 qarkullon në nivele më të ulëta. Ndërsa tani, ka një mbizotërim të Covid-19 me variantin Omicron dhe nënvariantet e tij,” tha Simaku.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të respektohen masat mbrojtëse si distancimi fizik, evitimi i grumbullimeve, mbajtja e maskës dhe higjiena e mirë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. “Varianti Omicron është një variant i lehtë me sëmundshmëri të ulët, që shfaqet kryesisht me shqetësime fyti dhe temperaturë më të ulët se gripi,” shtoi ai.

By Editor