IMG_8936
Kristjan Dukaj

Edhe pse jetojmë ne shekullin e teknologjisë, shekullin ku truri ynë është i kontrolluar nga teknologjia, ende ekzistojnë disa gjëra që shkenca, teknologjia nuk mund tu përgjigjet. Nëse një Mozart, arriti të bëhet i pavdekshëm pa këtë teknologji moderne, a do ta kishte arritur ai këtë në shekullin 21 ? Edhe pse teknologjia ka arritur një kulm të paimagjinueshëm, ende nuk kemi një Mocart të ri. Shekulli në të cilin jetojmë po na jep gjithçka përveç trurit. Atë e kemi lënë të flejë. Mbizotërimi i teknologjisë, bën që truri ynë të qëndrojë pasiv. Largimi nga leximi dhe nga natyra e gjallë është duke shkatërruar njerëzimin. Sa e dobishme aq edhe e dëmshme.
Po kthehem pak tek Mocarti, i cili vdiq në moshën 35 vjeçare. Ishe një njeri që bëri një revolucion në mbarë botën. Vetëm në moshën 6 vjeçare filloi të dalë nëpër skenat evropiane. Edhe pse pa ndonjë teknologji të përsosur, truri dhe aftësitë e tija arritën që të shkaktojnë një bujë në mbarë botën. Aftësitë e tija, bënë që edhe sot, në shekullin 21 ku muzika moderne është duke kapërcyer çdo kufi, ai ende qëndron i pavdekshëm sa i përket vlerave të muzikës klasike. Dëshira për të prekur majat, ishin të paimagjinueshme për të. Ndërsa sot, jetojmë në një dhomë në të cilën jemi të rrethuar nga teknologjia dhe bota moderne. Mirëpo, sa e dëmshme është kjo dhomë ? Edhe pse sot, mundësitë për të arritur majat janë shumë më të lehta, sepse përdorimi i rrjeteve sociale, portaleve të ndryshme, i jep mundësi çdo njeriu që të jetë pjesë e botës. Bota, është bërë një fshat i vogël falë elementeve të lartëpërmendura. Mirëpo, sipas shumë mendimtarëve që merrem me marrëdhëniet ndërkombëtare, teknologjinë, e shohin si faktor të domosdoshëm, i cili ndihmon në zhvillimin dhe avancimin e njerëzimit. Ata gjithashtu, tregojnë se fakti që një informacion mund të përhapet në mbarë botën për pak minuta, e bën botën më të sigurtë. Një luftë, me të cilën shkrimtarët ballafaqohen çdo ditë, është fakti se, interneti (teknologjia) është duke zëvendësuar librin. Pothuajse në çdo intervistë që jep një shkrimtarë, nuk i largohet edhe kësaj çështje, duke cekur që libri nuk mund të zëvendësohet dhe duke bërë apel tek shoqëria që ta përdorin teknologjinë, por mos ti harrojnë vlerat që kanë qenë thelbi i këtij civilizimi .
Andaj, le të mendojmë se ku jemi duke shkuar, e këtë gjë më së miri mund ta shohim duke shikuar të kaluarën e njerëzimit, duke parë që në atë të kaluar, janë vërë themelet e këtij civilizimi. Duhet shikuar se në atë të shkuar kanë lindur emrat më të mëdhenj të historisë. Le të mos e harrojmë këtë fakt, të jetojmë në botën moderne, por me vlerat e të kaluarës. Sepse një shoqëri, që harron vlerat e të kaluarës, ka varrosur të ardhmen.

Kristjan Dukaj

Student për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci
Mali i Zi

By Editor