IMG_8936
Kristjan Gjoke Dukaj

Të mendosh dhe të ta shprehësh atë, nuk është ndonjë “mëkat” sidomos kur këtë e bën me qëllimin më të mirë. Fati ka dashtë që përmes komunikimit të këtillë me njerëzit, përmes rrjeteve, tashmë të njohura sociale, individi është gjithnjë e më tepër pjesë aktive e shoqërisë. Shpesh ndodh që të ketë edhe ndonjë debat mes individëve që njihen ose jo, por edhe ato janë normale në kohën e komunikimit masiv. Sidomos ato që janë pa ndonjë qëllim të keq por, thjesht, për të sqaruar ndonjë çështje të parashtruar në mënyrë të vet. Është mirë kur të rinjtë, dëshirojnë të kyçen në rrjedhat e përgjithshme përmes shprehjes së lirë të opinioneve të veta për çështje të ndryshme.

Duke gjurmuar kronikat e kohës, në të kaluarën jo të largët, lexova një vështrim të datës 09.09.2010 (emetuar në RMZ-redaksia në shqip), me rastin e 20-vjetorit të LD në MZ, nga i cili mësova disa të dhëna mjaft relevante lidhur me subjektin e parë politik nacional të shqiptarëve në Mal të Zi. Sa bukur tingëllonte fakti nga përkrahja e dhënë kësaj partie nga votuesit shqiptarë, në zgjedhjet e para shumë partiake në Mal të Zi, në vitin 1990. Kjo e dëshmon më së miri nevojën e ekzistimit dhe veprimtarisë politike të strukturave nacionale në këto hapësira, në mbrojtjen dhe realizimin e interesave të popullatës shqiptare.

Prandaj, dëshirat dhe kërkesat e shumta për veprimtari të përbashkët të subjekteve politike shqiptare, duhet të jenë të mirëseardhura, në drejtimin e duhur. Sidomos, nga ata të cilët, sinqerisht, e kanë dëshmuar përkrahjen subjekteve të tilla, me qëllimin më të mirë gjithë kësaj kohe. Ata e dëshirojnë dhe ëndërrojnë veprimtarinë e përbashkët, si rrugën më të mirë drejtë realizimit të pikësynimeve të veta.

 

Kristjan Gjoke Dukaj

By Editor